140 padi penale për protestën e PD
Policia e Shtetit ka deklaruar se do të procedojë penalisht pjesëmarrësit në protestën e opozitës në qytetin e Lushnjes, ku u bllokuan akset kryesore rrugore.
Policia ka bërë me dije se ka bërë dokumentimin e nevojshëm për procedim penal për 140 pjesëmarrës në protestën e paligjshme, mes të cilëve deputeti Arben Ristanin dhe Myslim Murrizi, të cilët drejtonin protestën.
Më herët gjatë pasdites së të hënës, Policia e Shtetit deklaroi se protesta e opozitës ishte e paligjshme pasi nuk pati leje nga strukturat e ruajtjes së rendit.
“Pretendimi i organizatorëve të kësaj veprimtarie të paligjshme, se ata thjesht e lajmërojnë Policinë dhe e bëjnë tubimin edhe aty ku kërcënohet siguria e qytetarëve apo pengohet seriozisht qarkullimi i njerëzve e mallrave, është i papranueshëm ligjërisht”, deklaroi policia.
Policia e Shtetit nënvizoi se, megjithë rezistencën e disa prej organizatorëve të mitingjeve të paligjshme, ajo mundi me sukses të devijojë qarkullimin e mjeteve në disa akse dytësore dhe rrugë paralele, për të lehtësuar trafikun e rënduar dhe shmangur bllokimin e qytetarëve.
“Protesta e sotme e opozitës u organizua kryesisht nga deputetë dhe funksionarë të Partisë Demokratike në kundërshtim me ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, edhe pse u lajmëruan me shkresë dhe publikisht nga autoritetet ligjore përkatëse”, vijoi policia në qëndrimin e saj.
Ajo bëri me dije se, gjatë mbajtjes së tubimeve ka konstatuar përgjegjësitë e organizatorëve të tyre, të cilët kanë shkelur hapur ligjin, kryesisht sa i takon qarkullimit rrugor.
“Për këtë arsye, policia po punon për kryerjen e veprimeve të mëtejshme proceduriale. Këto veprime do t’u paraqiten prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse për ndjekje penale”, tha Policia e Shtetit.
/ Top Channel

