7 vatra aktive, ndërhyrje nga toka dhe ajri në disa qarqe për zjarret

Shtatë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Shqipërisë, ndërsa tre të tjera janë në monitorim. Sipas të dhënave të përditësuara deri në orën 20:00 të 17 gushtit, gjatë ditës janë regjistruar gjithsej 13 vatra zjarri. Situata më problematike paraqitet në disa zona të Dibrës, Tiranës, Matit, Mirditës dhe Pukës, ku vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Në malin e Dajtit, operacioni vijon me forca në terren dhe mbështetje nga ajri. Në Priskë situata është nën kontroll dhe zona po monitorohet, ndërsa në Vakumon zjarri është izoluar. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Gurë-Lurë të Dibrës vijon një angazhim i gjerë i forcave bashkiake, policisë dhe Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja mbështetet edhe nga dy avionë Air Tractor. Korridoret e hapura kanë ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit drejt banesave.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në Qafë Helmës, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në Bruç të Matit, operacioni po zhvillohet në terren të vështirë, me pjesëmarrjen e forcave vendore, vullnetarëve dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për banesa, stane apo blegtori.

Në Lufaj të Mirditës, strukturat operacionale vijojnë punën për kontrollin e situatës. Dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj, në gatishmëri për ndërhyrje. Vatra aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.

Ndërhyrja vijon edhe në Fushë-Lajë të Pukës, ku në terren janë angazhuar forca të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, forca pyjore, bashkiake, vullnetarë dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, vatra në Rrjoll është shuar plotësisht.

Në total, në operacionet e shuarjes janë angazhuar 424 forca operacionale dhe 14 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 129 efektivë, dy automjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?