
Kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti gabim vendimin e vitit 2008 për të mos pranuar Ukrainën në NATO, sipas propozimit të atëhershëm të presidentit amerikan George W. Bush. Ai foli në një konferencë për shtyp në Berlin, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, transmeton Euronews.
Sipas Merz, sot shihet qartë se sa gabim ishte mosndjekja e propozimit amerikan në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008. Ai shtoi se pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës do të ishte parandaluar nëse aleanca do t'i kishte hapur atëherë rrugën anëtarësimit. “Nëse Ukraina do të ishte anëtare e NATO-s, kjo luftë me gjasë do të ishte parandaluar”, citohet Merz, në komente të përkthyera nga gjermanishtja.
Takimi u zhvillua ndërsa vazhdojnë negociatat e udhëhequra nga SHBA për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, me Rutten që vizitoi kryeqytetin gjerman për mbledhjen vjetore të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Rutte mbajti një qëndrim të kujdesshëm për mundësinë e rihapjes së diskutimit mbi anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke theksuar se së pari duhet të arrihen negociata të suksesshme paqeje.
Komentet erdhën në përgjigje të deklaratave të fundit të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili kërkoi që debati për anëtarësimin e Ukrainës në aleancë të rihapet. Anëtarësimi i mundshëm i Kievit në NATO është rikthyer si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme përfundimtare për t'i dhënë fund luftës.
Presidenti rus Vladimir Putin, sipas raportimeve, ka lënë të kuptohet se do të ishte i gatshëm ta përfundonte luftën në Ukrainë, me kusht që NATO të pranojë të kthehet në pozicionin e vitit 1997. Kjo në praktikë do të thoshte kthimin mbrapsht të zgjerimit të mëvonshëm të aleancës, duke tërhequr anëtarësimin nga vendet që iu bashkuan pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Megjithatë, anëtarësimi i Ukrainës në NATO mbetet një perspektivë e largët, sipas Ruttes. Ai vuri në doke se, ndonëse “është pozicion i vjetër që Ukraina duhet të jetë pjesë e NATO-s”, nuk ka unanimitet mes anëtarëve të aleancës për pranimin e saj. Rutte gjithashtu hodhi poshtë idenë se Kremlini mund të ketë fjalë në përbërjen aktuale ose të ardhshme të NATO-s.
“Ajo që nuk mund të ndodhë është të detyrohemi ta kthejmë NATO-n në kufijtë e vitit 1997”, tha ai. “Vetëm 32 aleatët vendosin kush është në NATO dhe kush nuk është në NATO”. Rutte po ashtu u ndal te tensionet në rritje në Evropë për shkak të sulmeve hibride ruse, përfshirë incursionin e javës së kaluar në Poloni, kur dy raketa lundrimi ruse dhe një dron zbritën në territorin polak, sipas zyrtarëve polakë.
Ai ia atribuoi agresivitetin e shtuar të Rusisë humbjeve në rritje në fushën e betejës, duke pohuar se forcat ruse po humbin deri në 50 mijë ushtarë çdo muaj në Ukrainë. Këtë shifër ai e krahasoi me humbjet sovjetike në Afganistan dhe me viktimat amerikane gjatë luftës së Vietnamit.
“Ukraina po e shtyn frontin në drejtim të Rusisë dhe po godet thellë” në territorin rus, u tha Rutte gazetarëve. Sekretari i përgjithshëm përsëriti qëndrimin e NATO-s se zgjidhja më e mirë për sulmet hibride në rritje është shtimi i mbështetjes për Ukrainën. “Më e rëndësishmja, duhet të vazhdojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën”, tha ai.
“Për çdo incident në Evropë – më shumë mbështetje për Ukrainën”, shtoi ai. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se presidenti rus Vladimir Putin i urdhëroi sulmet pas asaj që ai i përshkroi si “takime të dobëta” me presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin kinez Xi Jinping.
“Rusia po përpiqet ta kompensojë impotencën e saj ushtarake dhe diplomatike pikërisht me këtë lloj terrori”, shkroi Zelenskyy në një postim në “X” të premten e kaluar. Në një zhvillim tjetër, ambasadorët e NATO-s u mblodhën të hënën në Bruksel për të diskutuar incursionin rus në Poloni.
Aleanca tani po shqyrton vendosjen e më shumë mjeteve në rajon si përgjigje. Shefi ushtarak i NATO-s, Komandanti Suprem i Aleatëve (SACEUR), po “shqyrton vendosjen e mjeteve shtesë ndërsa vazhdon të vlerësojë qëndrimin tonë të parandalimit dhe mbrojtjes në Poloni dhe gjetkë”, konfirmoi një zyrtar i NATO-s për Euronews.
