Aksident në Rrugën e Kombit, makina përfundon në kanal, plagoset drejtuesi
Një aksident rrugor është regjistruar këtë mesditë në Rrugën e Kombit, pranë qytetit të Kukësit.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Benz” ka humbur kontrollin, ka dalë nga karrexhata dhe ka përfunduar në kanalin anësor të autostradës. Mjeti ka përshkuar rreth 20 metra në kanal, përpara se të përplasej me një strukturë betoni.
Në automjet ndodhej vetëm drejtuesi, i cili është nxjerrë nga mjeti dhe është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Kukësit. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ka marrë dëmtime në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe plagët janë vlerësuar të lehta.
Në vendin e aksidentit kanë shkuar efektivë të Policisë Rrugore të Autostradës dhe punonjës të koncesionarit të Rrugës së Kombit, të cilët kanë ndërhyrë për menaxhimin e situatës.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave që çuan në daljen e automjetit nga rruga.
KOHA JONË SONDAZH

