AKSK alarmon qytetarët: Shtohen mashtrimet në emrin e bankave, ja si të mbroni të dhënat tuaja
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka ngritur alarmin për shtimin e tentativave për mashtrim online, ku persona të paautorizuar përdorin emrin, logon dhe identitetin e bankave për të marrë të dhëna personale dhe financiare të qytetarëve.
Sipas AKSK-së, gjatë ditëve të fundit janë evidentuar raste të shumta të fushatave të njohura si “phishing” dhe “smishing”. Përmes tyre, qytetarëve u dërgohen email-e ose mesazhe SMS që krijojnë përshtypjen se vijnë nga banka ku ata kanë llogari.
Mesazhet janë të hartuara në mënyrë bindëse dhe përdorin elemente të identitetit vizual të institucioneve bankare. Në shumicën e rasteve, qytetarëve u komunikohet se është konstatuar aktivitet i pazakontë në llogarinë e tyre, se shërbimi është bllokuar ose se duhet të konfirmojnë urgjentisht të dhënat.
Synimi është i qartë: vjedhja e informacionit konfidencial. Qytetarët joshen të klikojnë në lidhje të dyshimta ose të japin të dhëna si PIN-i, fjalëkalimet, kodet OTP dhe informacionin e kartave bankare.
AKSK u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mesazheve që krijojnë ndjesinë e urgjencës dhe të mos ndajnë në asnjë rast të dhënat bankare përmes SMS-ve, email-eve apo telefonatave të dyshimta.
Autoriteti këshillon që çdo komunikim i dyshimtë të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës. Gjithashtu, përpara se të klikohet një lidhje, duhet kontrolluar me kujdes adresa e faqes ku ajo të drejton.
Në rast se një qytetar dyshon se ka vendosur ose ka dërguar të dhëna sensitive në një faqe apo platformë të dyshimtë, këshillohet që të kontaktojë menjëherë bankën për të marrë masat e nevojshme dhe për të parandaluar abuzimin me llogarinë.
“Siguria e të dhënave financiare fillon me kujdesin ndaj çdo komunikimi të dyshimtë. Përpara se të klikoni ose të ndani informacion, ndaloni dhe verifikoni”, apelon AKSK.
KOHA JONË SONDAZH

