Atentati me tritol, dyshime për larje hesapesh droge
Tritoli në makinën e Ines Hajrulla, i cili nga shpërthimi humbi të dyja këmbët, sipas burimeve ka ardhur pas mosmarrëveshje me një grup tjetër pas humbjes së një ngarkese me hashash në Itali. Mjeti me të cilin udhëtonte 25-vjeçari është pronë e një personi tjetër, gjithashtu i përfolur për probleme me ligjin.
Prokurorët dhe policia lokale besojnë se në qendër të atentatit ka qenë pikërisht Ines Hajrulla dhe jo pronari i automjetit. Ekspertët tregojnë se sasia e më shumë se 300 gramë tritol ishte vendosur jashtë mjetit tip xhip, shumë afër sediljes së shoferit.
Grupi i hetimit ka dyshime se viktima e atentatit, Ines Hajrulla, ishte pjesë e një grupi kriminal të njohur në Vlorë. Në kartelat e policisë rezulton se i riu ka qënë i arrestuar në dhjetor 2016 për armëmbajtje pa leje.
Përveçse për dyshimet e pjesëmarrjes në grabitje dhe plagosje, Ines Hajrulla së fundmi ka qënë gjithashtu i dyshuar edhe për djegien e automjetit të një efektivi policie në Vlorë.
Por këto ngjarje nuk janë zbardhur asnjëherë nga hetuesit.
Policia njofton se ka kryer arrestimin e të riut për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë kqyrjes së mjetit që shpërtheu u gjet një pistoletë. Ines Hajrulla me emrin e mëparshëm Imer Hajrulla është djali i një biznesmeni në Vlorë.

