Avni Rustemi, trupi i balsamosur në 1924 dhe hapja e arkivolit në 1982
Dy foto të rralla të Avni Rustemit në arkivol të viteve 1924 dhe 1982 janë publikuar sot nga studiuesi Kastriot Dervishi, i cili tregon edhe historinë e dy varrimeve të tij, një në 1924 dhe tjetrin në 1982.
Dervishi shkruan sot në Fb: “Më 20 prill 1924 Avni Rustemi u plagos nga Isuf Reçi. Dy ditë më vonë nga plaga e vetme e marrë vdiq në spitalin e Tiranës. Për të u zhvilluan dy ceremoni varrimi, në Tiranë dhe në Vlorë.
Filluan më 28 prill 1924 me ceremoninë e zhvilluara në sheshin para xhamisë së vjetër në Tiranë. Arkivoli me trupin e tij të balsamosur udhëtoi në Durrës, e prej andej me vaporin “Beogradi”, nën flamujt jugosllavë e shqiptarë, mbërriti në Vlorë, të martën e 29 prillit 1924. Ceremonia e varrimit u zhvillua të mërkurën e 30 prillit 1924.
Figura e të vrarit mori përmasa të mëdha, aq sa shtypi antiqeveritar shkruante se varri i Avni Rustemit do të bëhej si Meka ose Jeruzalemi. Pas mbajtjes së fjalimeve të ashpra para kufomës dhe zemrës së Rustemit të vendosur në një enë qelqi, ithtarët e Rustemit organizuan tri mbledhje në sallën e bashkisë së Vlorës.
Vendi i prehjes së Avni Rustemit ishte menduar një tip bodrumi në qendër të Vlorës, i cili u nderua për vetëm 6-7 muaj. Më pas kaloi një heshtje 58-vjeçare.
U desh viti 1982 kur për varrin e Avni Rustemit u interesua ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Trupi i Avni Rustemit ishte balsamosur me shumë cilësi nga doktor Sazai Çomo. Përveç kësaj arkivoli ishte izoluar më së mirë, duke mundësuar që trupi të mos dekompozohej. Në pjesën e sipërme të kokës ai kishte një xham për t’u shikuar, ndërsa vendi i varrimit ishte një dhomë nëntokësore, e përshtatur për të bërë homazhe raste. Ndonëse duket disi e çuditshme, nuk përjashtohet mundësia e imitimit të balsamosjes së Leninit në Moskë.
Kapaku i dhomës varr u hap në orën 13.00 të datës 8.10.1982. Ishin të pranishëm disa emra të njohur të historisë, ministra dhe drejtues të pushtetit vendor. U bë dezinfektimi dhe u vendos rihapja dy orë më pas…Bashkëlidhur fotot e viteve 1924 dhe 1982”.

