Ballanca: 5516 ankesa, problem, bllokimi i dhënies së titujve të pronësisë në bregdet

Kreu i institucionit të Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca ka paraqitur në Kuvend raportin e punës për vitin 2018, duke evidentuar një seri problemesh me mosrespektimin e të drejtave të qytetarëve.

Ajo theksoi se boshllëqet e shumta të shkaktuara nga reforma e drejtësisë po cenojnë të drejtat e qytetarëve, ndërkohë që pa me shqetësim bllokimin dhënies së titujve të pronësisë në bregdet nga ana e qeverisë.

Ballanca raportoi se në adresë të institucionit janë depozituar 5516 ankesa gjatë vitit të shkuar, ndërkohë që një pjesë e mirë e institucioneve nuk zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit. Ballanca nënvizoi se reforma në drejtësi nuk po ecën sipas afateve të përcaktuara në ligj.

“Në krye të listës së problemeve të të drejtave të njeriut në institucionin tonë mendojmë se është mungesa e një sistemi efektiv drejtësie për të garantuar të drejtat e njeriut. Mungesa e një Gjykate Kushtetuese efektive dhe mungesa e një Gjykate të Lartë efektive kanë qenë problemi thelbësor në garantimin e të drejtave të njeriut në vend dhe mbetet në vijim edhe përgjatë këtij viti”, tha Erinda Ballanca.

Në raportimin e tij Avokati i Popullit bëri me dije se problematikat e ngritura kanë pasur të bëjnë kryesisht me të drejtat e personave të privuar nga liria, ku ende mbetet problem çështja e trajtimit dhe shërbimi mjekësor në burgje.

“Nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare për të përgatitur, për të adresuar një ambjent spitalor jashtë ambienteve të burgjeve për personat që kanë marrë masa nga gjykata për mjekim të detyruar”, tha Ballanca.

Deputeti socialist i Komisionit te Ligjeve, Spartak Braho, kërkoi më tepër angazhim nga Avokati i Popullit edhe për emigrantët.

“Avokati i Popullit duhet të rrisë angazhimin e tij publik në mbrojtje të interesave të shtetasve edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe njësitë ekstra-territoriale ku zbatohet legjislacioni shqiptar”, u shpreh Spartak Braho.

SHKARKO APP