Bilanci i zjarreve, eksperti Toromani: Mijëra hektarë të djegur, dëmi do të ndihet për dekada
Zjarret në pyje lënë pasoja që zgjasin për dekada, pasi dëmet nuk kufizohen vetëm te pemët e djegura, por prekin të gjithë ekosistemin, nga bimësia deri te fauna. Sipas ekspertit të pyjeve në Fakultetin e Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Ervin Toromani, rikuperimi i plotë i një masivi pyjor është një proces i gjatë që varet nga lloji i pyllit dhe funksioni i tij.
Ai shpjegon se për krijimin e një pylli funksional nevojiten të paktën 25-30 vite, ndërsa nëse synohet rikthimi i plotë i kapaciteteve prodhuese, si lënda drusore, bimët medicinale apo kërpudhat, cikli mund të zgjasë deri në 80 ose 100 vjet.
Eksperti ngre alarmin edhe për tkurrjen e sipërfaqeve pyjore në Shqipëri. Sipas tij, gjatë tre dekadave të fundit vendi ka humbur rreth 25 milionë metra kub lëndë drusore. Krahas prerjeve të paligjshme, ndikim të madh kanë pasur edhe zgjerimi i guroreve, aktivitetet minerare dhe zjarret, ndërsa dëmet nuk janë kompensuar me pyllëzime të reja.
Referuar të dhënave të inventarit pyjor, në vitin 1985 Shqipëria kishte rreth 85 milionë metra kub dru në këmbë, ndërsa në vitin 2020 kjo sasi kishte rënë në 59 milionë metra kub. Sipas Toromanit, ky është një tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm të fondit pyjor.
Ai thekson se faktori njerëzor mbetet shkaktari kryesor i zjarreve në vend. Sipas statistikave, rreth 99% e rasteve lidhen me pakujdesinë ose zjarrvëniet e qëllimshme, ndërsa rastet e shkaktuara nga faktorë natyrorë, si rrufetë apo shkëndijat elektrike, përbëjnë një përqindje minimale.
Deri tani, zjarret e këtij sezoni kanë përfshirë rreth 3.800 hektarë sipërfaqe pyjore dhe bujqësore. Ndërkohë, vatra aktive vijojnë të mbeten në Parkun Kombëtar të Lurës dhe në zonën e Krujës, ku forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës po vazhdojnë punën për neutralizimin e flakëve. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, pasi dëmet në natyrë kërkojnë dekada për t’u rikuperuar.
KOHA JONË SONDAZH

