Burg për ”monstrën”, 18 avokatë refuzuan Ritvan Zykajn
”Monstra i Selenicës”, Ridvan Zykaj, autori i masakarës me 8 viktima, anëtarë të fisit të tij, ka mësuar masën e sigurisë të dhënë sot nga Gjykata e Vlorës. ”Arrest me burg” ka qenë masa e kërkuar nga prokurori i çështjes Saimir Smaka dhe i vendosur nga gjykatësja Esmerilda Habilaj.
Me kokë të ulur, i veshur sportiv, Zykaj u përball me irritimin qytetar sapo zbriti nga makina e policisë. Ai nuk ka bërë asnjë lëvizje, është treguar sërish i ftohtë dhe ka heshtur përballë pyetjes së gazetarëve: Je penduar? Pse nuk flet ore? Pse i vrave? Çfarë ndodhi? Pse i vrave fëmijët? Ajo çfarë vihet re është se Zykajt nuk i janë hequr prangat nga ana e policisë, ndërsa në pjesën e syrit duket edhe një e nxirë.
Në përballjen me drejtësisë, 24-vjeçari është i vetëm pasi 18 avokatë kanë refuzuar që të marrin përsipër mbrojtjen. Hetimet e fundit kanë zbuluar se Ritvan Zykaj e kishte paralajmëruar krimin e rëndë në fshatin Resulaj të Vlorës. Nga dëshmitë e dhëna në prokurori, rezulton se 24-vjeçari shpesh ju kishte thënë të afërmve “do ju bëj hatanë, ndaj mos më bini në qafë”, por askush nuk e kishte marrë seriozisht.

