Burri vret bashkëshorten në sy të nipit 14-vjeçar, arratiset nga vendngjarja. Reagon edhe Policia
Një tjetër grua është vrarë në vend. Ngjarja ka ndodhur në një kompleks banimi pas shkollës “Harry Fultz” në Tiranë, ndërsa në banesë ka qenë edhe dy nipërit e familjes Palushi, njëri 14-vjeçar. Gruaja Lumturie Patushi është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Bashkëshorti Hysni Patushi është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim nga policia.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për të dokumentuar rrethanat dhe motivet e ngjarjes së rëndë. Pritet që në vijim të ketë edhe një njoftim zyrtar për detaje të mëtejshme.
Sipas të dhënave paraprake, dy bashkëshortët kanë pasur probleme edhe më herët. Në momentin e ngjarjes, përveç dy nipërve, në banesë ka qenë dhëndri i çiftit, i cili jetonte në shtëpinë e vjehrrve. Ai është shoqëruar në polici dhe po merret në pyetje.
“Rreth orës 10:20, në rrugën “Panorama”, dyshohet se, pas një konflikti në banesë, shtetasi H. P., 68 vjeç, ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen L. P., 58 vjeçe, e cila ka humbur jetën. Autori i dyshuar, shtetasi H. P., 68 vjeç, është larguar nga vendngjarja. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.

