Dëshmitarët rrëfejnë vrasjen e ish-shefit të policisë: Si në filma, nga makina ata…
Ekzekutimi i Ervin Dalipaj dhe Xhino Dauti, pasiditen e së Martës në Sukth, ka ndodhur si nëpër filma. Ngjarja është parë nga dëshmitarë, të cilët janë shprehur se autorët ishin tre persona, dy prej të cilëve qëlluan me breshëri plumbash nga dritaret e makinës, ndërsa një tjetër drejtonte mjetin.
“Pamë që po qëllonin dy persona nga makina, ndërsa një tjetër ishte në timon. Nuk arritëm t’i identifikonim pasi ishim shumë larg, por qëlluan me breshëri të gjata. Kur u afruam pamë që makina e viktimave ishte bërë shoshë, ndërsa dy djemtë që ndodheshin brenda ishin shpërfytyruar, pasi kishin marrë shumë plumba në gjoks dhe në fytyrë”, kanë treguar dëshmitarët.
Një automjet tip fuoristradë me ngjyrë të zezë ka ndjekur audin ku udhëtonin dy viktimat.
“Fillimisht menduam se ishin duke bërë gara me njëri-tjetrin. Ishte një makinë e zëzë si fuoristradë dhe makina ku ndodheshin dy personat që mbetën të vdekur. Pas disa metrash dëgjuam të shtëna armësh, breshëri të gjata automatiku. Më pas pamë që makina Audi doli nga rruga dhe përfundoi nga rruga dytësore në autostradën Durrës-Tiranë, ndërsa makina ku ndodheshin autorët vazhdoi rrugën duke lëvizur me shpejtësi në drejtim të Maminasit”, tregojnë dëshmitarët.

