Drogë, armë e granata në banesë, arrestohet “i forti” i Shkodrës
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një shtetas pasi akuzohet për mbjellje dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar 37 kg lëndë narkotike, 194 gram farë bimë narkotike, 9 granata dore, 3 krehëra fishekë, si dhe asgjesohen 264 fidanë bimë narkotike kanabis.
Në pranga mësohet se ka rënë shtetasi Gjon Marashi, 62 vjeç, banues në Gimaj, Njësia Administrative Shalë, Shkodër.
NJOFTIMI I POLICISË
Shkodër – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “LIMITLESS-2”, arrestohet në flagrancë 1 shtetas
Sekuestrohen 37 kg lëndë narkotike, 194 gram farë bimë narkotike, 9 granata dore, 3 krehëra fishekë, si dhe asgjesohen 264 fidanë bimë narkotike kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër finalizuan me sukses operacionin “Limitless-2”, ku u arrestua shtetasi
Gjon Marashi, 62 vjeç, banues në Gimaj, Njësia Administrative Shalë, Shkodër.
Arrestimi u bë pasi në datë 25 prill 2017, nga kontrolli i ushtruar në lagjen Gag, në fshatin Gimaj, të Njësisë Administrative Shalë, në oborrin e banesës së shtetasit Gjon Marashi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 37 kg lëndë në gjendje të tharë e dyshuar Cannabis Sattiva
– 194 gramë farë bime të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva,
– 9 granata dore
– 3 krehëra arme luftarake.
Gjithashtu në një distancë rreth 500 metra larg banesës janë gjetur të hapura 2 parcela, në të cilën ishin 88 gropa me nga 3 fidanë, gjithsej 264 fidanë të dyshuar kanabis.
Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim policor në lidhje me ngjarjen e datës 20 prill 2017, gjatë operacionit të koduar ‘LIMITLESS’.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”, të parashikuara nga nenet 284, 283 dhe 278 të Kodit Penal.

