Pas transferimit nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka nisur një grevë urie, duke refuzuar ushqimin, si protestë kundër vendimit. Ai kundërshton mënyrën sesi është kryer transferimi, të cilin e konsideron të pajustifikuar dhe të motivuar politikisht. Gjatë paradites, Veliaj është vizituar nga nëna e tij, e cila kishte me vete një çantë me ushqime. Disa orë më vonë, në ambientet e burgut ka mbërritur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e shoqëruar nga foshnja.
Çështja e transferimit ka shkaktuar diskutime edhe brenda Partisë Socialiste, ku në fokus është vënë dokumentacioni dhe përgjegjësia institucionale për vendimin e marrë. Gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar socialist, deputeti Bledi Çuçi i ka kërkuar llogari ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për dokumentet që shoqërojnë transferimin e kryebashkiakut të Tiranës.
“Ku e ke letrën e transferimit? Duhej ta kishe marrë para se të hyje. Nëse nuk e ke, jep dorëheqjen”, raportohet t’i ketë thënë Çuçi ministrit gjatë diskutimeve.Nga ana e tij, Veliaj ditën e djeshme e ka cilësuar transferimin nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit si “rrëmbim policor” dhe një veprim me prapavijë politike. Ai pretendon se procesi është kryer pa transparencë dhe se nuk i është vënë në dispozicion dokumentacioni zyrtar, së bashku me arsyet ligjore që kanë çuar në këtë vendim. Kryebashkiaku u është drejtuar publikisht ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të verifikuar ligjshmërinë dhe motivet e transferimit.
Lexoni edhe:
Veliaj izolohet në burgun e Fierit/ TRAZOHET PS-ja! Çuçi i drejtohet ministrit Gogu: Jep dorëheqjen
Erion Veliaj, letër nga burgu: Izolim afër 3 vrasësve me burgim të përjetshëm
Erion Veliaj denoncon dërgimin në burgun e Fierit: Rrëmbim policor dhe transferim politik
Veliaj e quan ”rrëmbim dhe hakëmarrje” transferimin në burgun e Fierit, Balla: E kam shok, do pyes…
