Gjermania dhe Austria: Të fillojmë urgjent bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për në BE

Kancelarët Scholz dhe Nehammer u takuan në Berlin: Gjermania dhe Austria në sfondin e luftës me sulmin rus ndaj Ukrainës duan ta avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Çdo vonesë e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor vulnerabël dhe të hapur ndaj influencës nga një palë e tretë”, tha kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz të enjten (31.03) në Berlin në takimin me homologun austriak, Karl Nehammer. “Nuk na duhen vetëm fjalimet për perspektivat e mundshme europiane, por tani duhet ta realizojmë këtë”, theksoi Nehammer. Nëse nuk bëhen përparime të shpejta ky rajon mund të bëhet zonë influence e Rusisë dhe Kinës.

Në Ballkanin Perëndimor Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë statusin e vendit kandidat për antarësim në BE, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë si kandidatë “potencialë” ende larg antarësimit. Me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bisedimet e antarësimit duhej të kishin filluar prej kohësh, por hapja e tyre ka dështuar vazhdimisht prej rezistencës së vendeve të ndryshme anëtare të BE-së.

Socialdemokrati Scholz kërkoi që më në fund të fillojnë bisedimet me këto dy vende, duke ndjekur të njëjtën frymë si edhe paraardhësja e tij kristiandemokrate Angela Merkel, që është angazhuar fort prej vitesh për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. “Edhe ne në BE duhet të çojmë përpara reformat institucionale, për të qenë edhe vet të aftë të zgjerojmë BE-në”, shtoi Scholz.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nehammer iu referua “zonave të mëdha të influencës së Federatës Ruse” në Ballkanin Perëndimor. Nisur nga “interesi gjeostrategjik” është e rëndësishme dhe e drejtë, që “ne vërtetë (…) të vihemi në lëvizje dhe t’u ofrojmë vërtetë njerëzve perspektivën frytdhënëse”. Për këtë ai tha, se do të angazhohet për të bindur “skeptikët” brenda BE-së. “Pohimi i qartë, që Ballkani Perëndimor i përket Europës, tani duhet edhe të jetësohet”, tha Nehammer.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?