Gonxhja: Gërmimi arkeologjik në Apoloni, të dhëna të reja mbi monumentin e qytetit antik
Gërmimet arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Apolonisë po sjellin të dhëna të reja mbi historinë dhe zhvillimin urban të një prej qyteteve më të rëndësishme të antikitetit në territorin shqiptar.
Kërkimet po zhvillohen në kuadër të misionit shqiptaro-francez, me fokus në studimin e një prej monumenteve publike të Apolonisë. Zbulimet pritet të ndihmojnë në krijimin e një tabloje më të plotë mbi organizimin urban dhe jetën publike të qytetit antik.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se çdo shtresë arkeologjike e zbuluar përbën një dëshmi të rëndësishme për të kuptuar më mirë historinë dhe mënyrën e zhvillimit të Apolonisë.
Sipas ministrit, përmes kërkimit shkencor dhe dokumentimit sistematik po rivlerësohen organizimi urbanistik dhe funksioni i monumenteve publike, duke sjellë një këndvështrim më të detajuar mbi rolin që Apolonia ka luajtur në botën antike.
“Përmes kërkimit shkencor dhe dokumentimit arkeologjik po rivlerësohen organizimi urbanistik dhe funksioni i monumenteve publike, duke ofruar një këndvështrim më të plotë mbi zhvillimin e Apolonisë dhe rolin e saj në botën antike”, është shprehur Gonxhja.
Gërmimet konsiderohen të rëndësishme jo vetëm për dokumentimin e pasurisë arkeologjike, por edhe për pasurimin e njohurive mbi trashëgiminë kulturore dhe historike të Shqipërisë.

KOHA JONË SONDAZH

