Helmimi i fëmijëve në kopshtin e Korçës, babai ngre alarmin: Prindërit kërkuan drejtoreshën, por ajo nuk u përgjigj
Dyshime për helmim ushqimor janë ngritur në kopshtin nr. 2 në Korçë, pasi disa fëmijë kanë shfaqur të njëjtat simptoma, ndërsa një pjesë e tyre janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Një prej prindërve, Koço Xexo, ka treguar se djali i tij nisi të kishte shqetësime në bark pasi u kthye nga kopshti, ndërsa më vonë gjendja u rëndua me të vjella të shpeshta, dobësi dhe zverdhje.
Sipas tij, familja u detyrua ta dërgonte fëmijën në spitalin e Korçës, ku ai iu nënshtrua analizave dhe mori trajtim për disa orë. Prindi thotë se mjekët ngritën dyshime se simptomat mund të ishin shkaktuar nga ushqimi i konsumuar.
Xexo deklaroi se atë ditë fëmijët kishin konsumuar pilaf me mish pule dhe kos, ndërsa në mëngjes bukë me vezë.
Gjatë qëndrimit në spital, familja mësoi se edhe fëmijë të tjerë të të njëjtit kopsht kishin shfaqur shqetësime të ngjashme. Sipas prindit, rreth 5-6 prej tyre u trajtuan në spital, ndërsa numri i përgjithshëm i fëmijëve me simptoma mund të shkojë deri në rreth 20.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se prindërit nuk kishin mundur të kontaktonin drejtoreshën e kopshtit, pavarësisht disa telefonatave. Ndërkohë, sipas tij, edukatorja e grupit kishte shkuar në spital dhe ishte interesuar për gjendjen e fëmijëve.
Prindi kërkoi që rasti të sqarohet dhe të shtohen kontrollet mbi produktet ushqimore dhe mënyrën e përgatitjes së tyre, duke theksuar se për shkak të moshës së vogël, fëmijët janë më të ekspozuar ndaj pasojave të episodeve të tilla.
Ai shtoi se nuk beson se bëhet fjalë për diçka të qëllimshme, por se shkaku mund të lidhet me pakujdesinë ose kontrollin e pamjaftueshëm të produkteve ushqimore.

