Refit Buzi i jep fund jetës, 35-vjeçari vrau ish-vjehrrin dhe mori peng ish-bashkëshorten
35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi i ka dhënë fund jetës, pas disa orësh negociata me forcat e Policisë së Shtetit, por që fundi rezultoi tragjik. Ai ishte i rrethuar nga forcat speciale RENEA në zonën e ish-fushës së helikopterëve në fshatin Kurjan, ku qëndroi i ngujuar në automjetin e tij për 9 orë, ndërsa negociatorët tentuan disa herë ta bindnin të dorëzohej.
Fshati Vidhisht në Roskovec u trondit mëngjesin e kësaj të premteje nga një krim i rëndë në familje. 35-vjeçari Nertil Buzi, i cili kishte ndryshuar emrin në Refit, shkoi në banesën e ish-partneres, Rozalinda Plaku dhe hapi zjarr me armë gjahu ndaj familjarëve. Ai vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakun, plagosi ish-vjehrrën, Bejlere Plakun, dhe mori me forcë ish-të dashurën, Rozalinda Plakun. E reja u lirua disa orë më vonë gjatë operacionit të policisë. Autoambulanca dhe forca të shumta policie janë afruar pranë automjetit ku ndodhet prej disa orësh 35-vjeçari.
Të rinjtë të cilët jetonin rreth 2 kilometra larg njëri-tjetrit, kishin qenë të fejuar para disa vitesh, por lidhja ishte ndërprerë nga Rozalinda. 24-vjeçarja vijonte studimet për infermieri në Tiranë, ndërsa autori ishte kthyer nga emigracioni pas disa vitesh në Angli. Familjarët pretendojnë se ai nuk e kishte pranuar ndarjen dhe e kërcënonte vazhdimisht. Familjarët e autorit japin një tjetër version për konfliktin. Sipas tyre, përplasja mes çiftit lidhet edhe me një shumë parash që Buzi pretendon se ia kishte dërguar ish-partneres gjatë kohës që jetonte në Angli.
Njoftimi nga Policia
Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se:
Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.
KOHA JONË SONDAZH




