I plagosuri në bllok, në gjyq për ”mosbindje ndaj policisë”
Ngjarja që tronditi opinionin publik, mbetet ende një mister për vetë faktin që thuajse çdo minutë del ndonjë detaj i ri rreth saj. Në konfliktin e armatosur në zonon e ish-Bllokut, i plagosur mbeti edhe Eljon Hato. 28-vjeçari nga Shkodra, ka qenë i burgosur në Lezhë pasi mbi të rëndonte akuza e vrasjes, një ngjarje e ndodhur në vitin 2014.
Për Haton ka një tjetër proces penal në Gjykatën e Tiranës. Paraditen e së hënës, ndaj Hatos u zhvillua seanca e parë gjyqësore për akuzën e mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik.
Kjo akuzë ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur në shkurt të këtij viti, ku Hato nuk i ishte bindur urdhrit të një patrulle policie për të ndaluar. Pas ndjekjes, policia kishte mundur ta ndalonte dhe konstatoi se Hato ishte pa leje drejtimi. Pas verifikimit rezultoi se ai lejen e drejtimit thjesht nuk e kishte me vete dhe për këtë arsye policia e procedoi për mosbindje të urdhrit të punonjësit të policisë.
Seanca e parë për këtë akuzë nuk u zhvillua, pasi procedura e kërkon që duhet të jetë vetë i pandehuri që të japë pëlqimin për gjykim të shkurtuar, kërkesë të cilën Hato e kishte bërë që në seancën paraprake.
Për shkak të plagëve të rënda që mori në ngjarjen e përgjakshme të 4 tetorit, avokati i tij deklaroi se Hato vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në pamundësi për t’u paraqitur fizikisht në gjykatë. Në lidhje me këtë ngjarje, Hato akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese ndaj më shumë se një personi. Edhe personi i mbetur i vrarë në këtë ngjarje, Fabian Gaxha rezultonte me precedentë të mëparshëm penalë dhe i kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë.

