Kryeipeshkvi Gallagher: Selia e Shenjtë, diplomaci që beson në paqe

Në fund të misionit të tij në Moskë, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare imzot Gallagher foli me median e Vatikanit dhe bëri vlerësimin e misionit diplomatik të sapo përfunduar.
Dielli po shkëlqente në Moskë të premten, më 28 gusht, në fillim të pasdites, kur shefi diplomatik i Selisë së Shenjtë, Kryeipeshkvi Imzot Paul Richard Gallagher, u nis në fluturimin për në Romë, nëpërmjet Stambollit, për t’u kthyer në Vatikan natën vonë. Ishte një udhëtim i gjatë dhe mjaft i vështirë. Pezullimi i fluturimeve direkte ndërmjet Rusisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian ka mundësi të kufizuara për të arritur në Moskë, duke i detyruar fluturimet e pakta të planifikuara të bëjnë një tur të gjatë në Evropë, nga Stambolli, nëpër Ballkan, përgjatë kufirit ukrainas dhe, së fundmi, mbi Bjellorusi. Të paktën dymbëdhjetë orë, duke përfshirë fluturimet dhe ndalesat, për një udhëtim që para vitit 2022 kërkonte rreth katër orë fluturim.

“Ishte një udhëtim i gjatë” kujtoi Imzot Gallagher, “por edhe ky merr një dimension simbolik. Para vitit 2022, mund të arrijë në Moskë brenda pak orësh, por sot udhëtimi është bërë më i gjatë. Ky udhëtim tregon dëshirën e Selisë së Shenjtë për dialog. Një dialog që e kemi zhvilluar prej vitesh, si nëpërmjet Ambasadës së Federatës Ruse në Selinë e Shenjtë, ashtu edhe nëpërmjet punës së Nuncit Apostolik Giovanni d’Aniello, në Moskë. Kjo nënvizon angazhimin dhe rëndësinë që i kemi kushtuar këtij udhëtimi, i cili u ndërmor në emër të Selisë së Shenjtë dhe me bekimin e Papës”.

Autoritetet ruse shprehën qartë vlerësimin për udhëtimin në Moskë, gjë që ishte e dukshme në diskutimet institucionale me Ministrin e Jashtëm Lavrov dhe këshilltarin Ushakov. Lufta e vazhdueshme me Ukrainën ka tërhequr shumë vëmendje. Ju keni theksuar disa herë se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund armiqësive është kthimi në diplomaci.

Po, nuk është dialog i lehtë, sepse sa më gjatë të zvarritet lufta, aq më e vështirë do të jetë rivendosja e marrëdhënieve: ka kaq shumë viktima, kaq shumë plagë të hapura. Por ne e dimë shumë mirë se historikisht të gjitha konfliktet, të gjitha luftërat përfundojnë me një negociatë, me një marrëveshje, e më pas marrëdhëniet ndërmjet ish-palëve ndërluftuese fillojnë të rivendosen. Në këtë kuptim, diplomacia ofron dhe premton  zgjidhje të mundshme. Kjo tregon se ne, si Kishë, kemi përgjegjësinë dhe detyrën ta shpallim. Ne shkuam në Moskë për të folur për paqen, për të inkurajuar shpirtrat e shqetësuar për shkak të luftës dhe për t’u thënë: duhet të keni guxim, të përqafoni rrugën e paqes, të keni shpresën, të besoni në një ditë më të mirë. E unë besoj se ky ishte, në thelb, mesazhi ynë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pas takimit dypalësh, Ministri Lavrov tha, në një intervistë, se gjatë bisedimeve ju u kufizuat në një thirrje të përgjithshme për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur

Swiss Digital Mobile Reklama

Po, është e vërtetë, ky është pikërisht qëndrimi ynë, të cilin e kemi pasur gjithmonë. Selia e Shenjtë nuk hyn në detajet e negociatave, as nuk propozon zgjidhje teknike, sepse kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e palëve ndërluftuese. Selia e Shenjtë, megjithatë, e kujton këtë përgjegjësi dhe bën thirrje të tregohet vullnet i mirë për të filluar seriozisht dialogun. E bën këtë, duke iu drejtuar si Federatës Ruse dhe Ukrainës, ashtu dhe vendeve të tjera, duke i nxitur të mos e kursejnë asnjë përpjekje në krijimin e hapësirave për dialog.

Gjatë vuajtjeve të popullatave civile për shkak të luftës, ju keni mbështetur nevojën për të forcuar veprimet humanitare, duke pasur parasysh edhe udhëtimin e ardhshëm të Kardinalit Matteo Zuppi në Federatën Ruse. Cilat janë prioritetet?

Ky dimension është themelor, e në këtë fushë Selia Shenjte tashmë po ofron kontributin e saj, një angazhim që është vlerësuar shumë deri tani. Edhe Ati i Shenjtë Leoni XIV, para udhëtimit, më tha: duhet të këmbëngulim në dimensionin humanitar. E kështu bëmë. Shpresojmë që misioni i paqes i Kardinalit Zuppi të vazhdojë dhe që ai të mund të kthehet menjëherë në Moskë, gjithashtu edhe për të dëshmuar se çfarë po bëjnë Kisha lokale dhe komunitetet katolike.

Selia e Shenjtë ofroi shërbimet e saj të mira për të rihapur rrugën e dialogut dhe të negociatave. Si u prit kjo ofertë dhe si mund të zbatohet?

Është një ofertë që e kemi bërë në të kaluarën dhe deri tani nuk është konkretizuar. Përfshirja e drejtpërdrejtë nga zyrat tona diplomatike nuk duket e dëshiruar. Megjithatë, gjesti u vlerësua, ashtu si edhe fakti që nuk po i lajmë duart. Mesazhi në këtë drejtim është i qartë: në botën e sotme, askush nuk mund të zgjidhë asgjë i vetëm. Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë nevojë për bashkësinë ndërkombëtare, kanë nevojë për aleancat e tyre dhe duke ofruar shërbimet tona të mira, ne u themi të dyja palëve se Selia e Shenjtë është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë. Çfarë duhet të bëjnë, është të kërkojnë, e ne do t’i vëmë në dispozicion të gjitha burimet tona. E pranojmë se janë modestë, por është gjest që e bëjmë me mirëbesim.

Kemi pasur një dialog të hapur me Ministrin Sergej Lavrov për vite me radhë, dhe nuk ka të bëjë vetëm me luftën në Ukrainë. Rusia është thellësisht e rrënjosur në traditën e saj të krishterë ortodokse, e ne ndajmë një shqetësim të përbashkët për të gjithë të krishterët që përballen me vështirësi në pjesë të ndryshme të botës. Ka vende ku teknikisht nuk është e saktë të flitet për persekutim, por ku ka pasiguri, diskriminim, paragjykime, e Rusia është gjithashtu e shqetësuar për këto çështje. Është një fushë në të cilën ne kërkojmë të ripërtërijmë angazhimin tonë të përbashkët.

Mitropoliti Anton, përgjegjësi i Marrëdhënieve me Jashtë i Patriarkanës së Moskës dhe Selia e Shenjtë gëzojnë një marrëdhënie shumë të përzemërt dhe vëllazërore. Ai vjen shpesh për t’u takuar me Papën, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin dhe mua. Ajo që patëm nuk ishte takim mbi dialogun ekumenik në kuptimin e ngushtë, i cili është përgjegjësi e Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të të Krishterëve, por e ndiem të përshtatshme të takoheshim për të diskutuar tema të ndryshme, përfshirë ato që lidhen me situatën aktuale. Ishte një takim shumë inkurajues, i cili tregoi se ndajmë shumë gjëra, edhe se ende kemi vizione të ndryshme për disa çështje, por në të njëjtën kohë përpiqemi të inkurajojmë njëri-tjetrin në ndjekjen e rrugës së Ungjillit.

Në ditën e fundit të udhëtimit tuaj në Moskë, ju kryesuat Meshën solemne në Katedralen e Zojës së Papërlyer. Ishte kremtim eukaristik me pjesëmarrje të mirë, me shumë të rinj të pranishëm, ndaj tërhoqi interes të konsiderueshëm mediatik. Çfarë ju bëri më shumë përshtypje?

Është e vërtetë, ishte një Meshë me pjesëmarrje të mirë; dikush mund të ndjejë intensitetin e vërtetë të përvojës fetare, dhe kjo është inkurajuese, sepse edhe dikush mund të ketë një përshtypje sipërfaqësore të grupeve të vogla katolike të shpërndara në të gjithë këtë qytet të gjerë, por t’i shihte ata të mbledhur në këtë Katedrale të bukur për të dëshmuar vitalitetin e besimit të tyre, që ishte thellësisht prekës. Ishte vërtet demonstrim dashurie, veçanërisht ndaj Atit të Shenjtë, e mund të shihet se këto lidhje dashurie, lidhje me pasardhësin e Pjetrit, janë shumë të forta këtu. Ky është vërtet burim kënaqësie të jashtëzakonshme.

Misionet zyrtare janë gjithmonë çast përqendrimi dhe angazhimi të madh. Në fund të këtyre udhëtimeve, megjithatë, një aspekt emocional mbetet gjithmonë. Personalisht, çfarë merrni me vete në Romë?

Ndjehet një lloj trishtimi kur largoheni nga një komunitet si ky. Mesazhi ynë është: nuk do t’ju lëmë vetëm; do të kthehemi në Romë për të folur me ata që na dërguan dhe do të qëndrojmë shumë pranë jush. Besoj se ky është kuptimi i asaj që duhet bërë: në këto vite të vështira në këtë rajon të botës, Kisha universale duhet të shqyrtojë se si t’i mbështesë më mirë këto bashkësi, duke i inkurajuar barinjtë dhe besimtarët e tyre dhe duke ruajtur lidhjet shpirtërore. Kur shkoj kudo në botë për një vizitë, më pas kthehem në shtëpi, por njerëzit dhe bashkësitë që kam takuar mbeten gjithmonë në lutjet e mia. Mund të them të njëjtën gjë për aspektin diplomatik të misionit. Gjithmonë i shoqëroj, e për këtë arsye edhe këtë herë, dëshirat për paqe dhe drejtësi me lutjet e mia, sepse, në fund të fundit, paqja është dhuratë e Zotit. Varet nga ne të përgatitemi për ta mirëpritur atë!

Vatican News

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?