Llalla: U shkatërruan provat, u përjashtua prokuroria
Redjon Shtylla
Kultivimi i hashashit, korrupsioni dhe lufta kundër krimit të organizuar, janë shqetësimet kryesore të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili, përfitoi për t’i kujtuar vartësve se prioriteti i hetimeve duhet të jenë këto tre krime. Kreu i akuzës pranoi se shifrat për kapjen e autorëve të kultivimit të hashashit dhe të korrupsionit, mbetet ende shumë të ulëta, duke kërkuar më shumë punë të policisë.
Por deklarata e Llallës se ngarkesat e drogës nuk po asgjësohen sipas ligjit, janë një akuzë e rëndë për qeverinë e cila është në kulmin e fushatës anti-hashash. Kritika erdhi gjatë konferencës për shtyp të mbajtur paraditen e së premtes, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, ku Petrit Vasili i dorëzoi Kryeprokurorit rekomandimet e qeverisë shqiptare për politikat penale, ku bashkëpunimi ndërinstitucional ishte thelbi i kërkesës.
“Një problematikë tjetër, të cilën kemi diskutuar në mënyrë të vazhdueshme me drejtuesit e prokurorive dhe të gjitha strukturat tona, mbetet mënyra e administrimit të provave materiale. Posaçërisht në rastin e lëndëve narkotike, ku në mënyrë të vazhdueshme bëhen publike të dhëna dhe çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderueshme lënde narkotike, asgjësohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mos përfshirje totale të prokurorëve për mënyrën sesi administrohen dhe sekuestrohen, asgjësohen këto lëndë narkotike. Është detyrim ligjor i secilit prej nesh që të identifikojë këto raste, për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore, kur konstatohet se lënda narkotike dhe provat e tjera materiale, asgjësohen në mënyrë jo të parashikuar nga ligji. Në të gjitha rastet, lënda narkotike ashtu si në të gjitha rastet e tjera duhet të asgjësohet në prani të prokurorit. Është një problematikë të cilën e kemi diskutuar edhe më herët, janë orientuar të gjitha strukturat tona. Ju rikërkoj që të gjitha rastet ku ka dyshime se provat materiale asgjësohen në mënyrë të kundraligjshme të fillojnë hetimet për të verifikuar nëse kjo lëndë narkotike apo çdolloj lënde tjetër, prova të tjera materiale nuk asgjësohet apo nuk administrohet në mënyrë të parashikuar në ligj, të fillojnë hetimet dhe të vendosen përpara përgjegjësisë ligjore autorët”,-u shpreh ai.
Më tej Llalla, kërkoi që të krijohen sa më shpejt institucionet që kontrollojnë prokurorët. Kjo sipas tij, do të thotë që prokurorët do kenë përgjegjësi dhe do të jenë në hetim deri në gjykim. “Përgjegjësia mbetet e drejtpërdrejtë e çdo prokurori në vend. Kjo është një problematikë që duhet trajtuar në mënyrë më të shpejtë nga institucionet përkatëse, të cilat do verifikojnë punën e prokurorëve, do të kontrollojnë disiplinën e tyre, duhen krijuar sa më shpejt. Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të ndjekë me vëmendje të gjitha rastet, duke filluar hetime në ato raste kur dyshohet se ka vepër penale ndaj cilido prokuror, oficer të policisë gjyqësore apo punonjësi tjetër të sistemit të drejtësisë”.
U shkatërruan provat
“Edhe mënyra e administrimit të provave materiale mbetet shqetësim. Ka mospërfshirje të prokurorëve në mënyrën se si sekuestrohen e asgjësohen lëndët narkotike. Droga e sekuestruar nuk po asgjësohet sipas ligjit”, -tha Llalla.
Ministri i Drejtësisë
Vasili kritika prokurorëve: Mos nxirrni sekretin hetimor
Në rekomandimet e përcjella nga qeveria nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili, në vend të parë ishte radhitur pavarësia e prokurorisë e më tej lufta ndaj krimit të organizuar. Vasili tha se, nëse problemet personale ndikojnë në punë, atëherë më mirë që prokurorët të heqin dorë nga kjo punë. Ministri, gjithashtu shtoi se është e nevojshme futja e metodave të specializuara të hetimit për të ashpërsuar luftën kundër grupeve të strukturuara kriminale.
“Miratimi i pavarësisë së prokurorisë, luftë kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht kundër trafikut, respektim i të drejtave të personave vulnerabël dhe përmirësim i bashkëpunimit ndërinstitucional. Qeveria duhet të jetë e pakursyer për fondet që vë në dispozicion për hetimin e trafikut të lëndëve narkotike. Duhet ashpërsuar politika penale për grupet e strukturuara kriminale që trafikojnë kanabis”, -tha Vasili.
Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, kritikoi prokurorët për nxjerrjen e sekretit hetimor të dosjeve të rëndësishme kriminale. Vasili tha se, në momentin kur dosja bëhet “pronë” e publikut e vërteta deformohet dhe nuk bind askënd në gjykatë duke bërë që të akuzuarit t’i shpëtojnë dënimit. “Sekreti hetimor s’mund të jetë pronë e publikut dhe as një kuriozi tjetër që mund ta përdorë atë për të gjithë qëllimet. Kur elementët e hetimit bëhen pronë e publikut, ato i largohen shumë të vërtetës, të deformohet e devijohet vërteta në proces dhe pastaj të kemi një dosje hetimore e cila në gjykatë pastaj nuk bind askënd”, u shpreh Vasili.
Një vit më parë, në rekomandimet e Këshillit të Ministrave, të deleguara përmes ish-ministrit Ylli Manjani, ishte sërish në vend të parë forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe sërish në vend të fundit, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional. Vasili vlerësoi bashkëpunimin me Prokurorinë si efikas dhe të shpejtë.
“Pa asnjë hezitim mund të përcaktoja si një bashkëpunim efektiv, i shpejtë dhe efikas. E theksoj i shpejtë edhe efikas sepse shpejtësia gjëra më e rëndësishme në komunikimin tonë sepse zvarritja e procesit ka qenë në favor të kundërshtarëve tanë. Unë kam gjetur një bashkëpunim shumë të mirë nga Prokuroria, por dhe prokurorë të gjithë niveleve. Në rekomandimet prioritare që i kemi paraqitur qeverisë dhe që i ka miratuar. Besoj që jemi në një situatë të re, që lidhet edhe me ndryshimet kushtetuese. Një nga elementët thelbësorë është forcimi i punës dhe rolit të prokurorisë si një organ i decentralizuar dhe me ndryshimet e reja i krijohen të gjitha hapësirat për të pasur një pavarësi të brendshme, por në fund me një prokurori që gjithmonë e më shumë ka hapësira të pavarësisë do të thotë pavarësi nga politika”, -tha Vasili.
Prioriteti i 2017
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe të gjithë formave të aktivitetit kriminal dhe veçanërisht në luftën kundrejt trafikut të lëndëve narkotike, respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave vulnerabël, lufta kundër korrupsionit dhe një nga pikat delikate është përmirësimi dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional”,-tha Vasili.
Kritika
“Sekreti hetimor s’mund të jetë pronë e publikut dhe as një kuriozi tjetër që mund ta përdorë atë për të gjithë qëllimet. Kur elementët e hetimit bëhen pronë e publikut, ato i largohen shumë të vërtetës, të deformohet e devijohet vërteta në proces”.

