Lumturimi i 38 martirëve, Ipeshkvët: Dhuratë nga Papa
Shpallja të lumtë e 38 martirëve të fesë, u shoqërua me emocione të forta jo vetëm nga familjarët e tyre, besimtarët e krishterë, por edhe mbarë populli i Shkodrës.
Të veçanta ishin përjetimet edhe nga drejtuesit e lartë të Kishës Katolike në vend, që e përkthejnë këtë dhuratë të papa Françeskut si një angazhim në shumë në punën e tyre me besimtarët, por edhe për të mirën e vendit.
“Këtë vit, Papa ka shpërblyer popullin shqiptar me disa gjëra të rëndësishme. Lumturimi i martirëve, kardinali i ri. Ata janë shpallur martirë atë ditë kur kanë vdekur”, tha Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës. .
“Është një ngjarje madhështore historike, për besimtarët e kishës katolike në veçanti. Ne jetën e martirëve pasqyrohet jeta e besimtarëve, meshtarëve, dhe udhëheqjes së kishës”, shton Zef Gashi, ipeshkëv i Tivarit:
Kurse për ipeshkvin Donato Olivero, nga famullia e Lungro në Kalabri ardhja në tokën mëmë për këtë ngjarje të madhe, ishte ditë e rëndësishme, apo siç e quan ai dita e rilindjes.
“Vijmë nga Kalabria, plot gëzim dhe emocion, sepse ajo që na lidh me këtë toke është e njëjta gjuhë. E quajmë ndryshe toka nënë. Jemi shume të emocionuar, pasi është një ditë shumë e rëndësishme. Është një ditë e madhe, një ditë rilindjeje. Është fara e martireve e cila ka rënë dhe është përhapur për të gjithë dhe kjo fare e vogël është rritur dhe është bërë e madhe si një pemë e madhe qe ka sjelle fruta. Fruta te shumta dhe te bollshme. Dua te kujtoj në këtë moment, në mënyrë të veçantë Josif Papa Mihali, i cili ka qenë mik këtu dhe ka mundur ta njohë virtytin e mëshirës, besnikërisë. Një njeri i Zotit, që ka jetuar meshtarinë e tij deri në fund të jetës duke dhënë jetën”, citon ai.
Papa Françesku na dha një tjetër sinjal të fortë në sytë e botës me shpalljen të lumë të martirëve thotë gjithashtu Visar Zhiti, i ngarkuar me punë në Vatikan nga qeveria shqiptare.
“Është një ngjarje e madhe. Është një dhuratë e Zotit, Papa Françesku u bën shqiptarëve. Vatikani njeh vuajtjen dhe sakrificën”, pohon ai.
Shkodra në 5 nëntor u kthye edhe njëherë tjetër në epiqendrën e Ballkanit dhe në fokusin e syve të botës, duke i dhënë kishës katolike martirët e saj të fesë.