Masakra në Mat, autori del sot para togave të zeza
Autori i masakrës në Mat, me tre viktima dhe një të plagosur, pritet të dalë sot para gjykatës për masën e sigurisë. Kujtim Koxha ka refuzuar gjithashtu avokatin nga shteti dhe ka deklaruar se do ta gjejë vetë atë.
51-vjeçari ka pranuar krimin në polici dhe ka heshtur pas arrestimit. Burimet thanë se ai nuk ka dhënë asnjë detaj për motivin para grupit hetimor, duke lënë ende të mbuluar me mistere shkakun e masakrës.
Në ngjarjen e rëndë të së enjtes, debati për rrugën dhe një shuplakë nga njëri prej viktimave, bëri që 51-vjeçari të merrte kallashnikovin dhe të zbraste breshëri plumbash në drejtim të punonjësve të Bashkisë që po drekonin në lokalin e fshatit.
Nga dora e Koxhës humbën jetën Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi, ndërsa i plagosur mbeti Astrit Hani, i cili vijon të jetë në spital. Tre viktimat u përcollën të premten për në banesën e fundit me ceremoni familjare në fshatrat e lindjes, ku asnjë nuk pranoi të komentojë ngjarjen e rëndë.

