Mashtrimi i ri online prek edhe Shqipërinë, si po vidhen llogaritë bankare përmes SMS-ve

Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për një skemë të re mashtrimi online që synon vjedhjen e të dhënave bankare dhe të kursimeve të tyre. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve të dyshimta që mund të mbërrijnë në telefonat celularë.

Sipas njoftimit, mashtruesit dërgojnë SMS ose mesazhe përmes aplikacioneve të komunikimit, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si përfaqësues të bankave. Në këto mesazhe, qytetarëve u kërkohet të përditësojnë të dhënat e llogarisë, të verifikojnë informacionin bankar ose të kryejnë veprime të tjera përmes një linku të bashkëngjitur.

Policia sqaron se bëhet fjalë për mashtrime të tipit “phishing”, të cilat kanë për qëllim marrjen e kredencialeve të e-banking, kodeve të verifikimit (OTP), PIN-it dhe të dhënave të kartave bankare. Pasi këto informacione bien në duart e autorëve, ato mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara, duke shkaktuar humbje financiare për viktimat.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për të shmangur rënien pre e kësaj skeme, Policia këshillon qytetarët të mos klikojnë në linke që vijnë nga numra të panjohur ose të dyshimtë dhe të mos ndajnë në asnjë rast fjalëkalime, kode sigurie apo të dhëna bankare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Autoritetet rekomandojnë gjithashtu që, përpara hyrjes në shërbimet bankare online, qytetarët të kontrollojnë me kujdes adresën e faqes së internetit dhe të përdorin vetëm kanalet zyrtare të bankave. Sipas Policisë, institucionet bankare nuk kërkojnë kurrë informacione konfidenciale përmes mesazheve me linke.

Në rast se një qytetar ka klikuar në një link të dyshimtë ose ka dhënë të dhënat e tij bankare, duhet të kontaktojë menjëherë bankën për të bllokuar kartën ose llogarinë, të ndryshojë fjalëkalimet dhe të raportojë rastin pranë Policisë së Shtetit dhe strukturave që hetojnë krimet kibernetike.

Policia apelon për vigjilencë të shtuar, duke theksuar se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të mos klikohen linke të dyshimta, të mos ndahen të dhënat personale dhe çdo informacion të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?