Mijëra qytetarë në protestën kombëtare kundër projektit të “Open Balkan” dhe korrupsionit të inceneratorëve
Mijëra qytetarë janë mbledhur përpara kryeministrisë në protestën kombëtare të thirrur nga Sali Berisha kundër projektit të “Open Balkan” dhe korrupsionit të inceneratorëve.
Ashtu sikundër ishte lajmëruar më parë në foltoren e protestës u ngjitën emra të rëndësishëm të partisë Demokratike.
I pari që foli në protestën e thirrur nga ish-kryeministri Berisha, ishte ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Aldo Bumçi
Bumçi theksoi se aleanca Rama – Vuçiç paraqiti projekt për të ndarë Kosovën. Ai shtoi se këta politikanë duan ta izolojnë Prishtinën.
Ndërkohë anëtarja e Komisionit të Rithemelimit të PD, ish-zv/ministre e Jashtme, Edith Harxhi u shpreh nga protesta kundër Ballkanit të Hapur dhe vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç se kombi shqiptar ndodhet në rrezik nga Rama dhe Vuçiç.
Në këtë protestë ishte dhe ish-deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli, e cila tha se Kosova nuk e pranon ‘Open Ballkan’.
“Në këtë protestë madhështore në kundërshtim të një pakti djallëzor për Ballkanin e Hapur, për një thikë pas shpine Kosovës. Ne do ta kundërshtojmë përgjithmonë dhe fuqia e popullit është e madhe. Ne do ta kundërshtojmë projektin serb, atë që vetë serbët e quajnë ‘Bota Serbe’. Por kjo nuk do të ndodhë, është kalaja Kosovës dhe janë shqiptarët në Shqipëri dhe kudo ku janë”, u shpreh Tërmkolli.
I pranishëm në protestën e parë Kombëtare të thirrur nga Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit të PD-së, ishte ish-presidenti Bujar Nishani i cili tha se nisma ”Open Balkan” është projekti më anti-europian në një kohë që Shqipëria tha ai, është e përfshirë në procesi si Integrimi në BE. Për të kjo nismën është një lojë për të rikthyer fantazmat e ish-Jugosllavisë.
Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi e ka konsideruar protestën kundër ardhjes së Vuçiç në Tiranë si një premtim i parë i mbajtur i një PD-jë të rithemeluar. Gjatë fjalës së saj Vokshi ka shprehur krenarinë për të qenë në këtë protestë si bijë me origjinë kosove që është. Vokshi tha se është e pafalshme që Rama sot është me Vuçiç dhe jo këtu.
Kreu i FRPD, Belind Këlliçi hodhi edhe njëherë akuza ndaj kreut të qeverisë Edi Rama për aferën e inceneratorëve, për të cilën është arrestuar aktualisht ish-ministri Lefter Koka. Sipas Këlliçit, emri i vërtetë që fshihet pas kësaj afere 400 milion euroshe është kryeministri Edi Rama dhe për këtë arsye ftoi SPAK të vijojë punën.

