Ministri Nufi takon komandantin Suprem të NATO-s: Folëm për Porto Romanon, Korridorin VIII dhe projekte për aleancën

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi zhvilloi këtë të enjte një vizitë zyrtare në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), ku u prit nga komandanti suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjeneral Alexus G. Grynkewich. Sipas ministrit Nufi, takimi në SHAPE pasqyron partneritetin e qëndrueshëm mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe aleatëve në NATO, duke nënvizuar se Shqipëria mbetet fuqimisht e angazhuar ndaj NATO-s, mbrojtjes kolektive dhe partneritetit transatlantik, në një kohë sfidash në rritje gjeopolitike dhe të sigurisë. Përgjatë takimit me gjeneral Grynkewich, u vu në dukje roli gjithnjë e më aktiv i vendit tonë në strukturat vendimmarrëse, operacionale dhe strategjike të Aleancës.

“Përfaqësimi i Shqipërisë në nivelet më të larta të komandimit të NATO-s është tashmë një realitet i prekshëm që dëshmon pjekurinë profesionale të Forcave tona të Armatosura dhe besimin që aleatët kanë ndaj Shqipërisë, si një vend që kontribuon aktivisht në sigurinë kolektive euroatlantike. Mbështetja e vazhdueshme e Aleatëve mbetet kyçe për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe rritjen e gatishmërisë operacionale”, u shpreh ministri Nufi.

Ndër të tjera, Nufi e siguroi gjeneralin Alexus G. Grynkewich se Shqipëria ka si prioritet kryesor modernizimin e vazhdueshëm të Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve që burojnë nga anëtarësimi në NATO, duke respektuar zotimin e dhënë në Hagë, për investimet në mbrojtje dhe duke avancuar modernizimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përgjatë bashkëbisedimit, palët diskutuan edhe për bazën detare të Porto Romanos dhe mobilitetin përgjatë Korridorit VIII. Ministri Nufi u shpreh se këto janë disa prej projekteve madhore, për të cilat vendi ynë po bën investime të rëndësishme në infrastrukturën strategjike në forcimin e lëvizshmërisë së NATO-s, ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë operacionale. Pjesë e bisedës me komandantin e lartë amerikan ishte edhe vendosmëria e Shqipërisë për të rritur kontributin në të gjitha operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë misionin e NATO-s KFOR dhe EUFOR ALTHEA, pasi u vlerësua se rajoni mbetet i ekspozuar ndaj ndikimeve keqdashëse, si dhe ndaj sulmeve hibride dhe kibernetike, çka kërkon vëmendje dhe koordinim të vazhdueshëm mes aleatëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministri i Mbrojtjes i tha komandantit suprem të Forcave Aleate në Evropë, gjeneral Grynkewich se Shqipëria po përgatitet intensivisht për samitin historik të NATO-s në Tiranë, vitin që vjen. Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE) është zemra operacionale e NATO-s, qendra ku ndërthuren planifikimi strategjik, drejtimi operacional dhe koordinimi shumëkombësh i Aleancës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?