Mos ndizni zjarre, Ministria e Mbrojtjes: Një pakujdesi mund të ketë pasoja të rënda
Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi dhe kujdes të shtuar për të parandaluar zjarret, veçanërisht gjatë periudhës së temperaturave të larta që rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së flakëve.
Përmes një apeli publik, institucioni u kërkon qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Konkretisht, këshillohet të mos ndizet zjarr në pyje, kullota, fusha apo pranë bimësisë së tharë, si dhe të mos hidhen cigare të ndezura në ambiente të hapura.
Ministria apelon gjithashtu që të shmanget përdorimi i fishekzjarreve apo mjeteve të tjera piroteknike pranë zonave me bimësi, pasi edhe një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë pasoja të rënda për mjedisin, pronat dhe jetën e njerëzve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, në rast se konstatojnë një vatër zjarri, ta raportojnë menjëherë pranë strukturave përgjegjëse duke telefonuar në numrat e emergjencës 112, 128 ose 129, në mënyrë që ndërhyrja të jetë sa më e shpejtë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur pyjet, kullotat dhe zonat e banuara.
Në përfundim të apelit, Ministria thekson se parandalimi i zjarreve është një përgjegjësi e përbashkët dhe u bën thirrje të gjithëve të tregojnë vigjilencë maksimale gjatë kësaj periudhe, duke shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë natyrën, pronën dhe jetën e qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

