Natë tmerri në Himarë nga zjarret, turistët morën valixhet. Ministri Nufi: 171 efektivë në terren
Himarë ka përjetuar një nga netët më të tmerrshme, me flakët që dogjën banesa dhe rrezikuan jetën e qytetarëve të zonës dhe të turistëve. 171 efektivë të Forcave të Armatosura u angazhuan gjatë natës për përballimin e situatës së krijuar nga zjarri në Himarë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se Forcat e Armatosura vijuan gjatë natës ndërhyrjen në terren, në kuadër të përpjekjeve për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronës.
Sipas tij, në gatishmëri u vunë 171 efektivë, 10 mjete, një mjet zjarrfikës dhe një ambulancë, të cilët qëndruan pranë komunitetit për t’u përballur me situatën e krijuar nga zjarri. “Mirënjohje dhe respekt për secilin prej tyre”, u shpreh Nufi, duke vlerësuar angazhimin e efektivëve të Forcave të Armatosura në terren.
Flakët avancuan brenda pak minutash, duke detyruar banorët të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Një prej tyre e përshkruan situatën si një “tmerr”, ndërsa tregon se zjarri zbriti nga pjesa e sipërme e zonës dhe shumë shpejt iu afrua banesave.
Banorët përshkruajnë momente të vështira, teksa përhapja e shpejtë e flakëve i ka detyruar të largohen me urgjencë nga banesat, ndërsa pasojat e zjarrit kanë lënë pas dëme të mëdha materiale.
Sot situata është përmirësuar, zjarri është vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e plotë të vatrave. Në terren vijojnë të jenë forcat e ushtrisë, ndërsa në operacion është angazhuar edhe një helikopter. Në Himarë ka mbërritur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
Mbrëmjen e së premtes në zonë ishin ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, si dhe strukturat lokale.
Dhjetëra forca zjarrfikëse nga qytete të ndryshme të vendit u angazhuan gjatë gjithë natës në Himarë, në një betejë të vështirë me flakët që përhapeshin me shpejtësi për shkak të erës.
KOHA JONË SONDAZH


