Në kërkim për trafik droge, kapet për ekstradim 44-vjeçari nga Berati
Një 44-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike dhe krijim të një organizate kriminale është kapur nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Beratit, në bashkëpunim me zyrën e “INTERPOL” Tiranës, me qëllim ekstradimin e tij drejt fqinjit të përtej Adriatikut.
Gazmir Polovina, i njohur ndryshe edhe si Gazmend Polovina apo Julian Bebri, kërkohej nga drejtësia italiane për dy veprat e mësipërme penale. Ai rezulton të jetë dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Milanos në Itali, që në mars të vitit 2013.
Sipas akuzës, beratasi 44-vjeçar, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë dhe italianë, të organizuar si grup kriminal kanë qenë të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike të rënda, kryesisht heroinë dhe kokainë.

