Nga veshja, makijazhi, telefoni i fikur dhe sjellja, rregulla të reja për nëpunësit e Ministrisë së Arsimit
Ministria e Arsimit ka miratuar një Kod të ri Etike, i cili përcakton rregulla për sjelljen dhe paraqitjen e nëpunësve brenda dhe jashtë institucionit. Sipas këtij kodi, punonjësit që dëshirojnë të ushtrojnë veprimtari të tjera krahas detyrës në ministri duhet të marrin më parë miratimin me shkrim nga eprori, pas verifikimit të lejueshmërisë së saj.
Ministrja Mirela Kumbaro ka përcaktuar se mjetet e punës, pajisjet teknologjike, infrastruktura dhe bazat e të dhënave zyrtare duhet të përdoren vetëm për kryerjen e detyrave funksionale dhe në shërbim të interesit publik. Këto burime nuk mund të përdoren për aktivitete elektorale, me qëllim garantimin e paanshmërisë politike të institucionit.
Kodi parashikon gjithashtu standarde për paraqitjen e punonjësve në ambientet e punës. Veshjet ekstravagante ose sportive dhe makijazhi i tepruar nuk do të lejohen. Po ashtu, nëpunësit nuk duhet të mbajnë simbole apo elemente që shprehin bindje politike.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me konfliktin e interesit. Punonjësit duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme, pa u ndikuar nga interesat personale apo presioni politik, si dhe të kërkojnë përjashtimin nga vendimmarrja kur konstatojnë një konflikt të mundshëm interesi.
Rregullat përfshijnë edhe ndalimin e kërkimit ose pranimit të dhuratave, shpërblimeve, favoreve apo përfitimeve të tjera që mund të ndikojnë në ushtrimin e paanshëm të detyrës. Ndërkohë, parashikohet mbrojtja e konfidencialitetit për nëpunësit që denoncojnë korrupsionin ose shkeljet ligjore.
Gjatë mbledhjeve me ministren, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtues të tjerë, telefonat duhet të mbahen të fikur ose në modalitet pa zë, përveç rasteve kur përdorimi i tyre autorizohet nga drejtuesi i mbledhjes.
Për zbatimin e këtyre standardeve, nëpunësit do të mund të kërkojnë këshillim nga këshilltari i etikës në institucion, i cili do të ketë rol parandalues në garantimin e integritetit dhe respektimin e rregullave.

