Nufi: Forcat e Armatosura vijojnë luftën me flakët në Dajt, Bulqizë dhe Lurë
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka publikuar pamje nga operacionet që Forcat e Armatosura po zhvillojnë në disa zona të vendit, ku vijon përballja me vatrat e zjarrit.
Sipas ministrit, ndërhyrjet po kryhen njëkohësisht nga toka dhe ajri në Dajt, Bulqizë dhe Lurë, me angazhimin e efektivëve, mjeteve të posaçme dhe kapaciteteve ajrore.
Në zonën e Dajtit janë angazhuar 50 efektivë të Regjimentit të Operacioneve Speciale, të mbështetur nga dy helikopterë. Nufi bën me dije se situata në këtë zonë është nën kontroll dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat apo zonat e banuara.
Edhe në Bulqizë operacioni vijon me pjesëmarrjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe tre mjeteve. Sipas autoriteteve, flakët nuk paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për banorët.
Ndërkohë, Lura mbetet një nga zonat ku është përqendruar një numër i madh forcash dhe mjetesh. Në terren ndodhen 50 efektivë të FA-së, gjashtë mjete, një automjet zjarrfikës dhe dy avionë “Air Tractor”, të cilët po mbështesin operacionin nga ajri.
Për të kufizuar përhapjen e flakëve, në Lurë janë hapur korridore ndarëse me ndihmën e fadromave. Kjo ndërhyrje ka ndihmuar në frenimin e avancimit të zjarrit drejt zonave të banuara.
“Lura mbetet një nga vatrat me angazhimin më të madh. Janë hapur korridore me fadroma, duke ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Nuk ka rrezik për zonat e banuara”, deklaroi Nufi.
Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në terren në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes Civile dhe ekipet e emergjencave, ndërsa prioritet mbetet izolimi i vatrave, mbrojtja e banesave dhe garantimi i sigurisë së qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

