“Nuk bëhemi roje të parcelave me kanabis”! Kryepleqtë dorëzojnë vulën!
Masat e marra nga policia duke i vënë përpara përgjegjësisë për parcelat me drogë të gjetura në territorin ku ushtrojnë detyrën si kryepleq, i ka irrituar këta të fundit. Madje në Shkodër ata janë gati t’i dorëzojnë bashkisë vulat, pasi sipas tyre nuk mund të kthehen në roje fushash e malesh, për të parë se kush kultivon kanabis sativa.
“Nëse më duhet të dal të kontrolloj fushat unë e dorëzoj që tani vulën”
Gjatë një takimi të zhvilluar në bashkinë Shkodër me përfaqësues të policisë së shtetit, vetë titullarja Voltana Ademi kërkoi nga policia që të ndajë detyra të qarta dhe te lajmërojë në kohë për çdo rast apo plan veprimi i cili duhet të jete i përbashkët
“Bashkia Shkodër kërkon që në të gjithë krehjen e territorit apo inspektimin që bëhet në territor, të mund të jemi në territor dhe grupet e përbashkëta të punës të punojnë në territor”, u shpreh kryebashkiakja.
Drejtuesit e policisë ishin të qartë në lajmërimin e tyre, se është ligji ai që kërkon masa të tilla, pasi territori që administrojnë është përgjegjësi e kryepleqve.
Policia bën me dije se operacionet në terren po vijojnë kryesisht në sera, magazina e objekte të mbyllura, ku vetëm gjate 24 orëve te fundit janë sekuestruar 37 kg kanabis në Dukagjin. /Ora News/

