Policia e Shtetit hap aplikimet për 300 vende të lira në Patrullën e Përgjithshme
Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për 300 vende të lira në funksionet e rolit zbatues “Patrullë e Përgjithshme”. Ftesa u drejtohet të rinjve dhe të rejave që dëshirojnë t’i bashkohen strukturave të Policisë së Shtetit dhe të kontribuojnë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u ka bërë thirrje të rinjve të aplikojnë për t’u bërë pjesë e uniformës së Policisë së Shtetit.
Sipas Lamallarit, procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet mbi bazën e meritës, shanseve të barabarta, transparencës dhe integritetit, me synimin për të garantuar një proces konkurrimi të drejtë.
“Për të rinjtë që duan të jenë pjesë e një Shqipërie europiane, moderne dhe të sigurt, uniforma është një mundësi për të kontribuar me dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, është shprehur ministri.
Aplikimet do të jenë të hapura nga 17 gushti deri më 18 shtator 2026. Kandidatët e interesuar mund të njihen me kriteret, dokumentacionin dhe procedurat që duhet të ndjekin përmes faqes zyrtare të Policisë së Shtetit.
Lamallari ka theksuar se vendi ka nevojë për të rinj që zgjedhin t’i shërbejnë qytetarëve përmes uniformës së policisë, duke e konsideruar rendin dhe sigurinë si një prej parakushteve për zhvillimin e Shqipërisë.
Procesi synon të plotësojë 300 pozicione të lira në “Patrullën e Përgjithshme”, duke sjellë në strukturat e Policisë së Shtetit kandidatë të rinj që plotësojnë kriteret dhe kalojnë fazat e konkurrimit.
KOHA JONË SONDAZH

