Revista zciveriane: Shqiptarët, kafkë sheshtë me Benz

Revista «Weltwoche» e Zürichut në numrin më të ri ka botuar të enjten një tekst për një këngëtare rep të quajtur Loredana, e cila është me origjinë shqiptare. Pra, shqiptare zvicerane. Ajo qenkësh rritur në Zvicër, më saktë në Emmenbrücke afër Luzernit. Loredana përshkruhet si reperja më e suksesshme që këndon në gjermanisht. Me një milion ndjekës në mediat sociale. Katër këngët e saj janë gjeneruar 76 milionë «streams». Loredana (Zefi) në këtë tekst shërben vetëm si kukull, të cilën autori e stolis me të gjitha paragjykimet, klishetë, stereotipat që qarkullojnë kundër shqiptarëve në ambientet e errëta të shoqërisë zvicerane.

Teksti i «Weltwoche», mes tjerash, vlon nga vokabulari vjellës, përbuzës, ksenofob. Ky vokabular kulmon në formulimin: «Shqiptarët në botën e jashtme nuk e kanë lehtë, sepse përherë maten me ata pjesëtarët e përhershëm të shtresës së ulët, që udhëtojnë me Mercedes të zi, kanë kafka të rrafështa në pjesën e pasme dhe thonë fjali, të cilat janë aq të thjeshta sa kokat e tyre tullace. Ata mendojnë se janë njerëzit më cool në botë, se vajzat i presin vetëm ata dhe se një thikë thotë më shumë se një mijë fjalë».

U mbetet juristëve të specializuar në çështje mediale nëse një formulim i tillë është shkelje apo jo e ligjit kundër racizmit, por gjithsesi kjo gjuhë e «Weltwoche» tregon për një aversion primitiv kundër komunitetit shqiptar. Ky aversion është parë edhe pas ndeshjes së futbollit mes Zvicrës dhe Serbisë në Kaliningrad vitin e kaluar, gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit. Futbollistët shqiptarë janë reduktuar në mercenarë nga Ballkani, që nuk identifikohen me Zvicrën dhe bëjnë politikë ballkanike në fushën e blertë, duke bërë gjestin me shqiponjë.

Teksti mbi reperen Loredana dhe partnerin e saj Gramoz Aliu, i cili është i njohur me emrin artistik Mozzik, është shembull i gazetarisë nëntokësore. Autori shkruan se kur Gramoz Aliu jetonte në Ferizaj, ai «me gjasë» shihte ëndrrën e zakonshme të burrave shqiptarë, ku një Mercedes me një nuse epshore në karrigen pranë shoferit ecën nëpër botën e të pasurve, ndërsa «gepeku» është plot me para. Aq i shkathtë është autori, saqë di t’i lexojë edhe ëndrrat e burrave shqiptarë. Ose së paku ëndrrat e Gramoz Aliut. Në Ferizaj Gramozi mendoi se me muzikë mund të fitosh më shumë para se me drogë. Sepse ai, kjo është e qartë, që në moshën 15-vjeçare ka menduar të shesë drogë për t’iu afruar ëndrrave të tij. Nga teksti nuk është e qartë nëse gazetari ka folur me Gramoz Aliun dhe nëse ai vetë ka thënë se kur ka qenë më i ri ka ëndërruar të shesë drogë.

Komuniteti shqiptar në Zvicër dhe përfaqësitë diplomatike janë aq mirë të organizuara, saqë po të mos problematizohej ky shkrim i poshtër këtu, as që do ta vërente ndokush. Mund të merret me mend se çka do të bëhej në Zvicër po të thuhej: Të gjithë hebrenjtë e kanë hundën e shtrembër, të gjithë hebrenjve u vjen era hudhër, të gjithë hebrenjtë janë të etur për para. Do të çohej në këmbë krejt Zvicra kundër këtij stereotipi antisemit. Shqiptarët heshtin! Ose kacafyten me njëri-tjetrin në Facebook! Ose mbajnë poza të krenarisë së rrejshme prej «intelektuali» e «poeti»!

SHKARKO APP