Rihapet dosja e Kozeta Hysenit, Prokuroria thërret 28 persona për dëshmi mbi krimin e vitit 1999

Prokuroria e Tiranës ka rihapur hetimet për një prej vrasjeve më të bujshme të ndodhura në Tiranë, atë të Kozeta Hysenit, e cila u masakrua më 19 shkurt 1999 në ambientet e Qytetit Studenti. Në kuadër të hetimeve të reja, policisë i është kërkuar të marrë në pyetje 28 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Mes tyre janë edhe persona që janë përfshirë në hetimet e para, përfshirë dy oficerë policie që u morën me zbardhjen e krimit në vitin 1999.

Prokuroria ka kërkuar gjithashtu ripyetjen e familjarëve të Agim Karafilit, i cili u vra disa vite pas ngjarjes, si dhe të Dritan Gjikës. Në listën e personave që do të merren sërish në pyetje është edhe Indrit Dule, i cili në hetimet e mëparshme kishte deklaruar se natën e vrasjes ndodhej për vizitë te e fejuara. Pjesë e procesit të ri hetimor do të jenë edhe tre shoqet e dhomës së Kozeta Hysenit. Prokuroria ka kërkuar të rimerren dëshmitë e Mirela Metajt, Valbona Kasajt dhe Kozeta Bushit, të cilat ishin marrë në pyetje edhe gjatë hetimeve të para.

Kozeta Hyseni ishte vajza e një prokurori në Vlorë. Pavarësisht viteve të hetimeve dhe kalimit të dosjes nga policia te prokuroria, vrasja e saj nuk është çuar asnjëherë përpara gjykatës dhe asnjë person nuk është akuzuar për krimin. Rihapja e çështjes synon të rikthejë në vëmendje provat dhe dëshmitë e mbledhura ndër vite, me shpresën se elementë të rinj mund të ndihmojnë në zbardhjen e një prej dosjeve më të mistershme të kronikës së zezë shqiptare.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?