Rihapet Muzeu Arkeologjik i Durrësit, Rama: 23 objekte të trashëgimisë kulturore të restauruara me mbështetjen e BE
Kryeministri Edi Rama vlerësoi kontributin e programit “EU4Culture” të Bashkimit Europian në ringritjen e shumë objekteve të trashëgimisë kulturore, pas goditjes nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019. Rama ishte i pranishëm këtë të martë në rihapjen e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, pas restaurimit të tij në kuadër të programit “EU4Culture”. Ky program deri tani ka mbështetur rilindjen e 23 objekteve të trashëgimisë kulturore.
”Ne bëmë gjithçka na takonte që me projektet dhe vullnetin e duhur të çonim përpara këtë program. Ka ende disa objekte në proces, por është bërë një punë transformuese që flet vetë”, tha Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë theksoi se si në rastin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, edhe në rastin e objekteve të trashëgimisë kulturore, me rindërtimin pas tërmetit është krijuar një mundësi e re për të ndërtuar më mirë dhe më bukur.
Rama nënvizoi rëndësinë e madhe që ka programi dhe në tërësi investimi në kulturë për Shqipërinë. Kryeministri falënderoi të gjithë ata që kontribuan për këtë projekt, të cilin e cilësoi “një sfidë të fituar”.
KOHA JONË SONDAZH







