Rritja e pagave të magjistratëve, Spaho: Turp institucional, çfarë reforme komike paskemi bërë

Ish-deputeti i PD, Edmond Spaho, ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet çështja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke vënë në pikëpyetje kompetencat e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përcaktimin e pagave të reja. Spaho shprehet se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i la Qeverisë afat deri më 31 korrik 2026 për të zgjidhur çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë, lind një pikëpyetje themelore: mbi çfarë baze ligjore KLGJ dhe KLP mund të përcaktojnë vetë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Postimi i plotë

Kam ndjekur me shumë interes lojën e luftërave midis Qeverisë dhe sistemit të drejtësisë, në insistimin e këtyre të fundit për të rritur pagat mbi koeficientët që përcakton tabela kombëtare e pagave për të gjitha institucionet e vendit tonë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nisur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, mund të pranoj që Qeveria bëri një lojë duke e dërguar në Kuvend projektligjin për rregullimin e pagave të sistemit të drejtësisë, një ditë para se të përfundonte afati i përcaktuar nga kjo Gjykatë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Formalisht, Qeveria e kapërceu lumin duke ia lënë barrën e miratimit të projektligjit Parlamentit, që nuk është Qeveria.

Gjykata Kushtetuese, kur mori vendimin dhe përcaktoi që Qeveria duhet ta zgjidhë këtë çështje deri më 31 Korrik, harroi që projektligjet i miraton Parlamenti dhe jo Qeveria. Ajo vetëm i propozon. Nga propozimi i saj deri në miratimin nga Parlamenti mund t’i ndajë një lumë i tërë.

Pra, Gjykata Kushtetuese i vuri detyrë dikujt që nuk e ka kompetencën të plotë dhe nuk e kontrollon dot procesin deri në fund.

Për këtë duhet të përgjigjet Gjykata Kushtetuese, e cila jo pak herë është përdredhur si qeni i kallajxhiut kur nuk dëshiron të marrë vendime të sikletshme.

Më pas vjen çështja themelore juridike:

Gjykata Kushtetuese ngarkoi Qeverinë dhe i vuri afat të zgjidhë çështjen e pagave të sistemit të drejtësisë deri më 31 Korrik 2026.

Supozojmë që Qeveria neglizhoi dhe nuk e zbatoi këtë detyrë.

Lind pyetja: mbi çfarë baze ligjore KLGJ dhe KLP mblidhen dhe përcaktojnë pagat e reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Kush ua dha këtyre institucioneve këtë të drejtë?

Ligji për pagat ia jep këtë të drejtë Qeverisë dhe Parlamentit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka përcaktuar që, nëse Qeveria nuk e plotëson këtë detyrim, KLGJ dhe KLP kanë të drejtë të përcaktojnë pagat e tyre.

Si është e mundur që dy organizma ligjzbatuese të angazhohen në një veprim antiligjor, kur ligji këtë kompetencë nuk ua jep atyre, por ia ka dhënë Qeverisë dhe Parlamentit?

Mbi çfarë baze rrisin pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dy institucionet të cilët konsiderohen ajka e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit?

Akoma më keq, prokurorët trima kërcënojnë Ministrinë e Financave që, nëse deri sot në orën 16:00 nuk lëvrohen pagat e reja të përcaktuara nga KLGJ dhe KLP, ata do të fillojnë ndjekjen penale ndaj punonjësve të Ministrisë së Financave.

A konsiderohet ky puç kushtetues?

A e kuptoni në çfarë marrëzie është futur sistemi ynë i drejtësisë?

A kuptoni çfarë shteti leshi kemi ndërtuar dhe çfarë reforme kemi bërë në drejtësi?

A e dalloni dot që ata që ishin në sistemin e vjetër të drejtësisë ishin më të ekuilibruar dhe më të kufizuar se të marrët që kemi futur në sistemin e ri të drejtësisë?

A e kuptoni sa pa takt, sa sipërfaqësore, sa pa formim janë, me nder, elita e sistemit të ri të drejtësisë?

Për këta votuam?

Për këta duhet të vazhdojmë të sakrifikojmë dhe të shpresojmë që do të bëjnë drejtësi në këtë vend?

Turp i madh institucional!

Turp për çfarë shteti qesharak paskemi ngritur dhe çfarë reforme komike paskemi bërë!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?