Rroftë Call Center, ja sa miliona euro fituan të rinjtë në 2016
Industria e Call Center-ave përveç se krijon vende të reja pune, sjell dhe të ardhura shumë të mira për ekonominë kombëtare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar eksportet e shërbimeve të tjera i sollën ekonomisë shqiptare 388 milionë euro. Brenda këtij zëri pjesa dërrmuese vjen pikërisht nga shërbimet e marketingut dhe kujdesi ndaj klientit.
Vitet e fundit Call Center-at janë zgjeruar me ritme të shpejta. Në 2016-n, të ardhurat e faturuara nga kompanitë “Call Center” u rritën me 40 për qind, ndërsa numri i të punësuarve vlerësohet të ketë arritur në mbi 25 mijë vetë.
E megjithatë rritja e shpejtë e kësaj industrie tashmë është vënë në pikëpyetje. Vitin e kaluar, Italia miratoi një ligj që synon rikthimin e kompanive “Call Center” të emigruara në vendet jashtë BE-së, një masë që godet veçanërisht Shqipërinë, shkruan Top Channel.
Por pavarësisht ligjit italian, Këshilli i Investimeve parashikon se industria e “CallCenter”-ave në Shqipëri do të vazhdojë të rritet, duke u orientuar drejt tregjeve të reja si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Gjermania apo edhe Britania.
Këshilli në një analizë raporton se paga mesatare për një punonjës të “CallCenter”-ave në Shqipëri është 50 për qind më e ulët sesa mesatarja e rajonit, ndërsa qiratë e ndërtesave, një tjetër zë i rëndësishëm i kostos, janë 40 për qind më të ulëta.

