”Save Narta”, qytetarët me protestë simbolike në Zvërnec: I japim zë flamingove, të anulohet projekti
Në zonën e Zvërnecit dhe të Lagunës së Nartës, këtë të shtunë po mbahet një protestë-marshim kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik. Këtë herë, protestuesit kanë organizuar një marshim përgjatë plazhit të Dajlanit, si një thirrje publike për mbrojtjen e zonës së cilësuar si e mbrojtur dhe me vlera natyrore. Pjesëmarrësit kanë kërkuar anulimin e projektit dhe kanë shprehur kundërshtinë e tyre ndaj ndërhyrjeve në zonë, duke drejtuar edhe thirrje politike ndaj kryeministrit Edi Rama. Slogane si “Narta është e jona”, “Larg duart nga Zvërneci” dhe “anulo projektin” janë dëgjuar gjatë marshimit.
Një ambientalist tha se ata nuk janë kundër investimeve, por jo në këtë zonë. ”Dunat shekullore janë sheshuar dhe është hedhur çakull. Edhe në kodrat e Zvërnecit është gërryer masiv dheu. Nuk jemi kundër investimeve, por në këtë zonë nuk jemi pro, sepse është një zonë e mbrojtur dhe sidomos në atë shkallë. Nëse këtu do të ketë ndërtim s’do mvbetet asgjë për natyrën. Protesta nuk do të ndalojë. Sot e kësaj dite leja nuk është zbardhur, sepse përveçse po shkatërrohet një zonë natyrore po shkelin ligjet me të dyja këmbët. Kështu këtu po bëhet një ndërhyrje e jashtëligjshme”, tha ai.
Një nga temat kryesore të protestës ka qenë mbrojtja e biodiversitetit të zonës, ku Lagunës së Nartës i atribuohet një rëndësi e veçantë ekologjike. Flamingot, pelikanët dhe specie të tjera të faunës së lagunës janë përmendur nga protestuesit si simbol i ekosistemit që, sipas tyre, rrezikon të dëmtohet nga ndërtimet e reja. Disa prej qytetarëve kanë argumentuar se zhvillimi i zonës me betonizim do të dëmtonte jo vetëm natyrën, por edhe identitetin lokal dhe mënyrën tradicionale të jetesës, duke e lidhur atë me trashëgiminë kulturore të zonës së Vlorës.
Avokatja dhe notarja shqiptaro-australiane Eva Buzo është rikthyer sërish në Vlorë për të realizuar një tjetër sfidë sportive në ujërat e Jonit. Ajo ju bashkua protestës së banorëve në Zvërnec kundër resortit. Notarja e rekordeve u nis me not nga Radhima, përshkroi me not ishullin e Sazanit dhe mbërriti në plazhin e Dalanit në Zvërnec duke thirrur atdhe. Dy vite më parë, Buzo tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, kur realizoi me not distancën nga brigjet e Italisë drejt Karaburunit.
Lexoni edhe:
Protestë aty ku nisi gjithçka, qytetarët bëhen bashkë në Vlorë për të mbrojtur Zvërnecin
VIDEO/ Çështja e Zvërnecit, protestë edhe nga shqiptarët në Milano të Italisë
KOHA JONË SONDAZH


