Telefonata dhe sms nga burgjet: Dilni e rrëzoni qeverinë! Tani keni rastin, përdorni Zvërnecin….

Prej ditësh protesta për Zvërnecin po paraqitet si një lëvizje qytetare për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër projektit të Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Ky është narrativi publik. Por në korridoret e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë po qarkullojnë informacione shqetësuese që, nëse konfirmohen publikisht, mund t’i japin ngjarjes një dimension krejt tjetër.

Sipas burimeve që po ndiqen nga organet ligjzbatuese, po hetohen komunikime telefonike dhe mesazhe që dyshohet se kanë dalë nga ambientet e burgjeve të Tiranës dhe Durrësit, ku persona të ndryshëm u kanë bërë thirrje njerëzve të tyre të dalin masivisht në protesta kundër qeverisë.

Po sipas këtyre informacioneve, një nga mesazhet e sekuestruara do të përmbante thirrjen: “O tani, o kurrë ta rrëzojmë atë të Gjatin. Dilni në protesta me sa më shumë njerëz. Shfrytëzoni rastin e Zvërnecit.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Nëse këto të dhëna rezultojnë të sakta duke u bërë publike, atëherë del qartë se për disa aktorë qëllimi nuk është debati mbi mjedisin apo zhvillimin turistik të zonës, por shfrytëzimi i pakënaqësisë publike për objektiva politike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se pas protestave mund të fshihen elementë ekstremistë dhe interesa të lidhura me qarqe iraniane. Deklarata e tij është pritur me skepticizëm nga kundërshtarët politikë, por mbetet fakt se institucionet shtetërore po verifikojnë çdo informacion që lidhet me financime të mundshme apo nxitje të organizuara të protestave. Shërbimi Informativ po heton disa persona që dyshohet se janë të lidhura me qarqe islamike dhe që nxisin njerëzit për në protestë. Po kështu mbahen nën vëzhgim dy xhami në qarkun e Tiranës, ku po rekrutohen të rinjë me pagesë që edhe të dalin të flasin.

Kjo nuk do të thotë se çdo protestues që del në shesh është pjesë e një skenari politik. Përkundrazi. Shumë qytetarë mund të kenë shqetësime reale për mjedisin, për mënyrën e zhvillimit të projektit apo për transparencën e procedurave.

Por historia ka treguar se shpesh kauzat qytetare janë përdorur nga aktorë të tjerë për qëllime krejt të ndryshme nga ato që shfaqen në publik.

Një pyetje mbetet pa përgjigje: nëse halli kryesor është Zvërneci, pse refuzohet dialogu? Pse refuzohet takimi me qeverinë? Pse refuzohet debati për projektin?

Kryeministri ka deklaruar publikisht se është i gatshëm të dëgjojë përfaqësuesit e protestës dhe të diskutojë për çdo shqetësim. Por nga ana tjetër, kërkesa që dëgjohet është: “Nuk negociojmë. Duam dorëheqjen e kryeministrit.”

Në atë moment debati nuk është më për Zvërnecin.

Atëherë pyetja bëhet e thjeshtë: a kemi të bëjmë me një protestë për mbrojtjen e një zone të veçantë, apo me një përpjekje për të përdorur çështjen e Zvërnecit si mjet për të krijuar presion politik ndaj qeverisë?

Përgjigjja përfundimtare do të vijë nga faktet dhe hetimet. Por sa më shumë që protesta largohet nga debati për projektin dhe afrohet me kërkesën për rrëzimin e qeverisë, aq më shumë forcohet bindja se beteja e vërtetë nuk po zhvillohet për Zvërnecin.

Ajo po zhvillohet për pushtetin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?