Situatë kritike në Xhyrë, zjarri i afrohet banesave
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme një masiv pyjor mes fshatrave Xhyrë dhe Vehçan, në Njësinë Administrative Hotolisht, duke krijuar një situatë të vështirë për banorët dhe forcat zjarrfikëse.
Flakët kanë nisur të përhapen që prej mesditës, ndërsa terreni i vështirë dhe bimësia e thatë kanë favorizuar përparimin e shpejtë të zjarrit në disa drejtime. Situata është përkeqësuar pas orës 17:00, kur flakët janë afruar pranë banesave në zonën e ish-stacionit hekurudhor të Xhyrës, si dhe në afërsi të aksit kombëtar Librazhd-Përrenjas.
Për përballimin e situatës janë angazhuar dhjetëra mjete dhe forca zjarrfikëse, të ardhura në ndihmë nga Librazhdi, Prrenjasi, Elbasani, Gramshi dhe Cërriku. Ekipet në terren po punojnë për izolimin e vatrave dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara. Prioritet mbetet mbrojtja e banesave dhe e objekteve që ndodhen pranë masivit të përfshirë nga zjarri.
Ndërhyrja po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit dhe përhapjes së zjarrit në sipërfaqe të konsiderueshme me akacie dhe shkurre. Situata vijon të jetë dinamike, ndërsa autoritetet dhe shërbimet zjarrfikëse po monitorojnë vijimësinë e zjarrit dhe po punojnë për neutralizimin e vatrave, me qëllim shmangien e rrezikut për banorët dhe zonat përreth.
KOHA JONË SONDAZH

