Spahiu propozim për dekriminalizimin e gabimit mjekësor
Parandalimi i çdo forme dhune në shoqëri, ashpërsimi i dënimeve për veprat e dhunës ndaj policëve, ndaj profesionistëve të shëndetit, sportistëve, arbitrave, ndërmjetësve dhe trajnerëve, funksionarëve publikë dhe të zgjedhurve, apo edhe atyre që shërbejnë në shërbimin publik, dhe adresimin e duhur të çështjeve te dhunës si edhe akte që ngarkojnë me përgjegjësi penale”, janë këto disa nga ndryshimet në Kodin Penal që po shqyrtohen në komisionet parlamentare.
Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, në drejtimin e kryetarit, Enver Roshi, shqyrtoi në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”. Projektligji, nismë e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, u prezantua në komision nga deputetja Klodiana Spahiu.
Deputetja e Partisë Socialiste u ndal te propozimi për dekriminalizimin e gabimit mjekësor, si kërkesë e ardhur nga komisioni dhe grupet e interesit 3-4 vjet më parë. Sipas saj, më parë ky ndryshim në Kod nuk ka qenë i mundur për shkak të mungesës së votave të nevojshme, ndërsa momentin politik të tanishëm e konsideroi të përshtatshëm.
Lidhur me ndryshimet në Kod, që e dekriminalizojnë gabimin mjekësor, Spahiu u shpreh se “këto ndryshime synojnë të përmirësojnë klimën në të cilën profesionistët e shëndetit kryejnë detyrën dhe përmbushin misionin e tyre. Dispozita ekzistuese e Kodit Penal gjatë zbatimit të praktikës gjyqësore ka sjellë gjithnjë e në rritje vështirësi për profesionistët e shëndetit, që të kryejnë detyrat e tyre. Kjo ka sjellë edhe zhvillimin e praktikave të ashtuquajtura “mjekësia difensive””.
Më tej, zëvendëskryetarja e komisionit, lidhur me ndryshimet në Kodin Penal që prekin veprimtarinë e profesionistëve të shëndetësisë, konkretisht me amendimin e nenit 96 të Kodit Penal dhe shtimin e nenit 238.a, vuri në dukje se “këto dispozita parashikohen të ndryshohen në kontekstin e përmirësimit të dispozitave ekzistuese referuar problematikave të ardhura nga aktorët e fushës. Nisur nga iniciativa për t’u siguruar një mbrojtje të posaçme për të gjithë profesionistët e shëndetësisë, të cilët përballen çdo ditë në punën e tyre me situata të vështira, duke u penguar në ushtrimin e detyrës së profesionit, u mendua shtimi i nenin 238 pika “a”. Nevoja për përmirësimin e këtij rregullimi ligjor prek drejtpërdrejtë mjekët në punën e tyre të përditshme, në mënyrë që disiplinojë ashtu siç duhet përgjegjësitë penale të subjektit që i shkakton”.
Spahiu u ndal edhe në pikat e tjera që ndryshohen në Kodin Penal e që lidhen me fusha si: e drejta e autorit, ashpërsimin e dënimeve të veprimtarive të lojërave të fatit, amendimet në lidhje me rendin dhe qetësinë publike, ashpërsimin e dënimeve për mbajtje armësh shpërthyese dhe lëndë plasëse, mbrojtjen e mjedisit, ndryshimet në drejtim të sigurisë ushqimore dhe çështjet që kane të bëjnë me prishje të qetësisë publike dhe të rendit përmes incidenteve të dhunës.
Lidhur me ndryshimet e parashikuara në Kod Penal për çështjet që lidhen me profesionistët e shëndetësisë, komisioni, pas prezantimit dhe shqyrtimit në parim të projektligjit me ndryshimet përkatëse nga Spahiu, zhvilloi një dëgjesë me grupet e interesit, të cilët shprehën propozimet dhe mendimet e tyre lidhur me ndryshimet e paraqitura. Të pranishëm në dëgjesë ishin përfaqësues të lartë nga Universiteti i Mjekësisë, Spitali Universitar “Shefqet Ndoqi”, Spitali i Traumës, Spitali Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Spitali Rajonal Shkodër, Spitali Rajonal Dibër, Shoqata Shqiptare e Infektologjisë, Mjekësia Ligjore, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Urdhrat e Mjekut dhe Infermierit, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ISSH dhe Ministri e Drejtësisë.
Grupi nismëtar i projektligjit për disa ndryshime në Kodin Penal janë deputetët Taulant Balla, Ulsi Manja, Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri, Ervin Bushati, Bashkim Fino, Klodiana Spahiu, Ermonela Felaj dhe Alket Hyseni.

