SPAK, hap dosjet e “investitorëve strategjikë”, aty do të gjeni “lepurin e madh”!
Shqipëria është mbushur vitet e fundit me resorte luksoze, hotele me pesë yje, vila, kulla dhe komplekse turistike ku deklarohen investime prej dhjetëra e qindra milionë eurosh.
Shumë prej tyre kanë marrë nga shteti edhe një emër të rëndësishëm: “Investitor Strategjik”. Por ka ardhur koha për një pyetje tjetër, shumë më të rëndësishme: Nga kanë ardhur paratë?
SPAK ka hetuar ministra, deputetë, kryebashkiakë, tendera dhe koncesione. Por lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të përfundojë vetëm te politikani. Ajo duhet të shkojë atje ku dhemb më shumë krimin: te paraja. Prandaj SPAK, mes morisë së dosjeve nën hetim, duhet të verifikojë çdo rast ku ka indicie se pas një investimi të madh mund të fshihen para me origjinë kriminale.
Dhe investimet strategjike meritojnë një vëmendje të posaçme. Së pari duhet parë si është marrë statusi i investitorit strategjik. Kush e ka kërkuar? Kush e ka propozuar? Kush e ka miratuar? A janë plotësuar kriteret? A ka pasur favorizim politik, konflikt interesi apo ndërhyrje të paligjshme? Por kjo është vetëm gjysma e historisë.
Gjysma tjetër është shumë më e rëndësishme: Me çfarë parash është bërë investimi?
Nëse një resort deklarohet se kushton 100 milionë euro, duhet të jetë e mundur të provohet se nga kanë ardhur këto 100 milionë. Sa kanë ardhur nga bankat? Sa nga kredi? Sa nga kapitali i pronarëve? Sa nga kompani jashtë Shqipërisë? Dhe sa para janë përdorur cash? Kush janë pronarët përfitues realë të kompanive që kanë financuar projektin?
Këto nuk janë pyetje kundër biznesit. Janë pyetje në mbrojtje të biznesit të ndershëm. Sepse Shqipëria ndodhet prej vitesh përballë një problemi tjetër: fuqisë financiare që krijon krimi i organizuar dhe trafiku ndërkombëtar i drogës.
Grupet kriminale shqiptare që veprojnë në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës mund të gjenerojnë kapitale të mëdha. Pikërisht për këtë arsye, kur ekzistojnë indicie konkrete, drejtësia duhet të kontrollojë nëse një pjesë e këtyre parave është rikthyer në Shqipëri përmes ekonomisë formale. Nuk po themi se investitorët strategjikë janë trafikantë. As se çdo hotel, kullë apo resort është ndërtuar me para droge. Kjo do të ishte e papërgjegjshme dhe pa prova. Por po themi diçka tjetër: Shteti shqiptar duhet të jetë në gjendje të provojë origjinën e kapitalit të investimeve prej dhjetëra dhe qindra milionë eurosh që vetë shteti i ka shpallur “strategjike”.
Sepse statusi “Investitor Strategjik” nuk është një dekoratë. Ligji parashikon procedura të posaçme administrative dhe mekanizma mbështetës për investimet që marrin këtë status. Dhe kur shteti të jep privilegje, toka, procedura të përshpejtuara apo mbështetje institucionale, transparenca duhet të jetë shumë më e madhe se për një biznes të zakonshëm.
SPAK, Prokuroria, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Tatimet dhe institucionet e tjera kompetente kanë instrumentet për të ndjekur gjurmën financiare. Duhet vetëm vullneti për ta bërë. Merrni projektin. Merrni shumën e deklaruar të investimit. Merrni bilancet e kompanisë dhe pasurinë e pronarëve. Merrni kreditë. Merrni transfertat bankare. Shikoni kompanitë mëmë dhe kompanitë e lidhura jashtë Shqipërisë. Identifikoni pronarin përfitues real. Dhe pastaj bëni pyetjen më të thjeshtë të mundshme: A e justifikon aktiviteti i ligjshëm ekonomik këtë investim?
Nëse po, dosja mbyllet dhe investitori duhet të jetë i qetë. Madje një verifikim i tillë do t’i shërbente reputacionit të tij. Por nëse 100 milionë euro investim nuk justifikohen dot nga të ardhurat, kreditë apo kapitali i ligjshëm, atëherë fillon puna e vërtetë e drejtësisë. Shqipëria ka nevojë për investime. Ka nevojë për hotele, resorte, turizëm, ndërtime dhe kapital të huaj. Por Shqipëria nuk ka nevojë që paratë e krimit të marrin një certifikatë shtetërore dhe të shndërrohen në prona të ligjshme.
Ndaj SPAK duhet të hapë dosjet aty ku ka indicie. Jo për të dënuar paraprakisht biznesmenët. Por për të ndjekur paranë. Sepse mund të ndryshosh emrin e kompanisë. Mund të ndryshosh ortakët.
Mund të krijosh kompani brenda dhe jashtë vendit. Por paraja lë gjithmonë një gjurmë. Dhe pas gjithë debatit për “investitorët strategjikë”, Shqipërisë i duhet përgjigjja e një pyetjeje që deri tani është bërë shumë pak:
Nga erdhën qindra milionë eurot që po betonizohen në Shqipëri?
Nëse janë të pastra, investitorët nuk kanë pse të shqetësohen. Nëse janë para të krimit, atëherë SPAK ka përpara ndoshta një nga hetimet më të rëndësishme të këtyre viteve. SPAK ka barrën e pastrimit të krimit dhe të politikës, SPAK është historia e re e Shqipërisë digjitale, SPAK mbetet heroi i ditëve tona. Por SPAK ka nevojë që politika e pastër ti jap me tepër kushte pune, t’i lejojë të rikandidojnë dhe jo vetëm një mandat, se shteti e shoqeria ka investuar për ta, se prokurorët specialë kanë mësuar dhe janë kurajozë e profesionistë.
Por Klodian Braho, si drejtues i SPAK, do të hynte në histori nëse bën edhe kontrollin e “investitorëve strategjikë”, pasi aty është brenda politikani i korruptuar, krimi i organizuar dhe gjithçka e keqe e vendit. Duhet bërë hetimi për çdo investitor strategjik, pasi nga aty suportohet politika, nga aty dalin deputetët e nesërm.
KOHA JONË
KOHA JONË SONDAZH

