Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave, duke kërkuar një qasje mes institucioneve shtetërore, Shoqërisë Civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama u ndal te mënyra se si, sipas tij, një pjesë e shoqërisë po e trajton fenomenin e dhunës, duke e konsideruar atë të papranueshme për një shoqëri demokratike.
“Jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje për të gjitha demokracitë, për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci që është dhuna”, u shpreh kreu i qeverisë. Ai kritikoi atë që e cilësoi si relativizim dhe justifikim të akteve të dhunshme, duke vënë në dukje se në diskursin publik, sipas tij, përgjegjësia po zhvendoset nga autorët e dhunës drejt Policisë së Shtetit.
“Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar”, deklaroi Rama. Kryeministri akuzoi një pjesë të medias dhe të opinionit publik se po u japin legjitimitet personave që kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, shkollave dhe pronës publike e private. Sipas tij, kjo qasje krijon një perceptim të gabuar për protestat dhe cenon të drejtën e qytetarëve për arsimim, liri dhe bashkëjetesë.
