Revoltë nga studentët në Tiranë, Policia përgjigjet me forcë. PS dënon dhunën, PD akuzon qeverinë për represion
Studentët ndryshe nga herët e tjera, protestën e nisur prej orës 14:00 përballë Ministrisë së Arsimit në rrugën e Durrësit, këtë të martë po e mbajnë me revoltë. Ata shkulën gardhin metalik rrethues të godinës, gjuajtën me pllaka guri që i shkulnin nga trotuari, dhe kanë thyer xhamat e Ministrisë. Më herët gjatë protestës, studentët hodhën ujë me ngjyrë, vezë dhe shkruan fjalë në muret e Ministrisë së Arsimit. “Ju erdhi fundi”, “Dorëheqje”, kanë qenë disa nga mbishkrimet.
Disa prej tyre, me maska në fytyrë, tentuan edhe të futeshin brenda Ministrisë. Policia e Shtetit është përgjigjur dhe për të shpërndarë protestën u hodh gaz lotsjellës dhe ujë në drejtim të studentëve, si edhe kanë shoqëruar me dhunë disa prej tyre. Protesta është shoqëruar me tensione dhe thirrje të fuqishme nga studentët dhe protestuesit pjesëmarrës.
Njëri prej studentëve theksoi se nuk ia kanë besën më as kryeministrit, pasi kjo gjë është dëshmuar më 2018. Ai tha se studentët janë në protestë, për t’i thënë kryeministrit Rama që të largohet nga pushteti. ”Kemi ardhur që t’u japim fund sistemit komunist. Nuk ia kemi besën fare Ramës për negociata. Jemi këtu për t’ju thënë kryeministrit Rama largohu, se ne nuk të besojmë më. Ne do vazhdojmë me këto protesta. Një pjesë e mirë e pedagogëve na kanë mbështetur”,-u shpreh studenti.
Përpjekja e forcave të policisë për të shpërndarë turmën me autobotë uji nuk ka arritur të ndalë revoltën e të rinjve. Pas ndërhyrjes dhe përplasjeve të dhunshme, studentët janë rigrupuar sërish me shpejtësi përgjatë Rrugës së Durrësit. Një grup i ri masiv qytetarësh dhe studentësh i është bashkuar tubimit, duke i dhënë një hov të ri protestës. Situata mbetet mjaft e tensionuar, ndërsa vargu i protestuesit po shtohet nga momenti në moment, duke sfiduar kordonin dhe praninë e shumtë të forcave të rendit.
Mesa duket në lojë, pas protestës në Bulevard, po thirren edhe studentët. Krahas kërkesave për përmirësimin e infrastrukturës dhe të kushteve të jetesës, protestuesit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe të kryeministrit Edi Rama. Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje kundër Ministrisë së Arsimit, të cilën protestuesit e kanë cilësuar si “ministria e turpit”.
Sipas organizatorëve, tubimi synon të shprehë pakënaqësinë për çështjet që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura dhe për mungesën e reagimit nga institucionet. Përmes thirrjeve në rrjetet sociale, ata u kanë bërë apel studentëve nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe qytetarëve, që t’i bashkohen protestës.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas episodeve të dhunës të shënuara gjatë protestës të studentëve dhe sulmit ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit. Përmes një reagimi publik, Balla ka dënuar aktet e dhunës, duke theksuar se studentët nuk duhen identifikuar me personat që mbajnë maska dhe kryejnë akte të tilla. “Studentët nuk janë terroristë me maska! Nuk ka nxënës që thyejnë dritaret e shkollës”, shkruan Balla në reagimin e tij. Në një tjetër reagim, Balla ka ngritur pikëpyetje mbi identitetin e personave të përfshirë në sulme, duke drejtuar akuzat ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Nga opozita, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ashpër kundër dhunës ndaj studentëve që po protestojnë tek Ministria e Arsimit, duke kërkuar respektimin e të drejtës së tyre për të shprehur lirshëm qëndrimet dhe kërkesat për një Shqipëri më të mirë. Përmes një mesazhi publik, Bardhi thekson se të rinjtë dhe të rejat që protestojnë meritojnë respekt dhe përgjigje ndaj kërkesave të tyre, dhe jo represion, dhunë apo frikësim. “Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj dhe nga ndryshimi që ajo kërkon”, shprehet Bardhi, duke nënvizuar se asnjë pushtet nuk mund ta shuajë me dhunë zërin e një brezi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe të ardhme në vendin e vet.
Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar ndaj episodeve të dhunës gjatë protestës përballë Ministrisë së Arsimit, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimin e pronës publike. Koçiu e cilëson të trishtë degradimin e kulturës së protestës në dhunë, duke ironizuar edhe pretendimin se kjo dhunë është “provokuar” nga pllakat e trotuareve.
Situata përballë Ministrisë së Arsimit vijon të jetë e tensionuar, ndërsa forcat e Policisë kanë vijuar ndërhyrjet ndaj protestuesve, duke shoqëruar disa prej tyre me forcë. Në pamjet e siguruara nga vendngjarja, efektivët shihen teksa neutralizojnë një protestues, e mbajnë të shtrirë në tokë dhe e tërheqin zvarrë përgjatë vijave të bardha të rrugës, në drejtim të mjeteve të shoqërimit.
Në rrjetet sociale po qarkullon edhe një video tjetër, ku një i ri shihet teksa përleshet me gjashtë efektivë policie. Pamjet kanë tërhequr vëmendjen në rrjet, në një moment kur situata në terren vijon të mbetet e tensionuar. Ndërhyrjet e policisë po zhvillohen mes tymit dhe kaosit në rrugë, ndërsa shoqërimet në komisariate vijojnë. Zhvillimet e fundit po shoqërohen me përplasje të njëpasnjëshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Lexoni edhe:
3 orë protestë, Policia përgjigjet herë pas here me gaz lotsjellës
Berisha poston pamjet nga protesta: Policia e krimit! STOP dhunës ndaj studentëve
PL mbështet protestën e studentëve, Blushi: Zemërluanët po dridhin narkoregjimin
VIDEO/ Një qytetar shoqërohet zvarrë, një student përleshet i vetëm përballë 6 efektivëve
Policia kontrolle në çdo rrugë, një grup studentët nuk tërhiqen
Bardhi poston pamjet e dh*nës nga protesta dhe apelon Policinë: Ndalni terrorin ndaj rinisë
Vijojnë tensionet, përplasje e dhunshme mes policisë dhe protestuesve te Ministria e Arsimit
Studentët nuk ndalen, shkulin kangjellat e pllakat dhe thyejnë xhamat e Ministrisë së Arsimit
Studentët hyjnë brenda perimetrit të Ministrisë së Arsimit, policia hedh gaz lotsjellës

View this post on Instagram













