Tentoi të vrasë me eksploziv të riun një vit më parë, ekstradohet nga Italia krutani 23-vjeçar
Një 23-vjeçar nga Kruja është ekstraduar ditën e sotme nga Milano në Itali. Specialistët e Interpol Tirana realizuan sot ekstradimin e shtetasit Oltion Caca, i cili rezultonte në kërkim prej shtatorit të vitit të kaluar.
Mbi 23-vjeçarin rëndojnë një sërë akuzash, një prej të cilave edhe “Vrasje me paramendim, mbetur në tentativë”.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më datë 19 shtator 2016, kur Oltion Caca ka tentuar të vrasë me eksploziv shtetasin G.B, duke i vendosur në automjet lëndë eksplozive, ku si pasojë e shpërthimit ky i fundit ka mbetur i plagosur.
“Shtetasi Oltion Caca është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi me Vendimin Penal nr. 427, datë 23.12.2016, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim, mbetur në tentativë” “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Vjedhje me dhunë” parashikuar nga nenet 78-22, 152, 283 dhe 139 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.
SI KA NDODHUR NGJARJA
Më datë 19.09.2016, shtetasi Oltion Caca ka tentuar të vrasë me eksploziv shtetasin G.B. duke i vendosur në automjet lëndë eksplozive, si pasojë e shpërthimit është plagosur shtetasi G.B.
Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë tentuar të ndalojnë automjetin me drejtues shtetasin Oltion Caca, i cili është larguar me shpejtësi. Policia e ka ndjekur këtë automjet dhe pas ndjekjes, shtetasi i mësipërm e ka braktisur atë duke u larguar në këmbë.
Policia sekuestroi brenda në automjet 110 kg e 845 gr lëndë cannabis sativa.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

