Trafik i dendur në aksin Tunel–Elbasan, kolona automjetesh në kulmin e sezonit
Lëvizja e automjeteve është rënduar këtë të shtunë në aksin Tunel–Elbasan, si pasojë e fluksit të shtuar të mjeteve në kulmin e sezonit turistik dhe kthimit të emigrantëve pas pushimeve.
Numri i lartë i automjeteve ka shkaktuar ngadalësim të qarkullimit në disa segmente të rrugës, duke detyruar drejtuesit e mjeteve të lëvizin me ritëm më të ulët. Megjithatë, autoritetet sqarojnë se, pavarësisht trafikut të dendur, nuk ka pasur bllokim të plotë të qarkullimit.
Segmenti Shijon–Bradashesh ka mbetur funksional gjatë gjithë ditës, me automjetet që kanë vijuar lëvizjen, edhe pse me vonesa të vogla për shkak të volumit të madh të mjeteve.
Aksi Tunel–Elbasan është një nga rrugët më të rëndësishme që lidh kryeqytetin me Elbasanin dhe zonat juglindore të vendit, ndaj gjatë sezonit veror përballet çdo fundjavë me fluks të lartë.
Situata pritet të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin manovrat e rrezikshme për të garantuar sigurinë në rrugë.
KOHA JONË SONDAZH

