Transportonin 11 emigrantë drejt Tiranës kundrejt pagesës, në pranga dy 21-vjeçarë
Dy operacione policore të zhvilluara në qarkun e Korçës kanë çuar në arrestimin e dy 21-vjeçarëve, të dyshuar për dhënie ndihme kundrejt pagesës për kalimin e paligjshëm të kufirit të emigrantëve nga vendet e treta.
Në kuadër të operacioneve “Route 2” dhe “Qatromi”, policia ka kapur gjithsej 11 emigrantë në dy raste të ndryshme, të cilët dyshohet se po transportoheshin drejt Tiranës kundrejt pagesës.
Në rastin e parë, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan në fshatin Tren të Devollit një automjet ku ndodheshin pesë emigrantë. Drejtuesi, 21-vjeçari me inicialet M. Sh., nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe u largua me automjet në drejtim të aksit Korçë-Pogradec. Në fshatin Gurishtë ai braktisi makinën dhe u largua, por pas disa orësh kërkimesh u kap në Tiranë.
Në rastin e dytë, policia arrestoi 21-vjeçarin S. D., banues në Libonik të Maliqit. Sipas hetimeve, ai u siguronte emigrantëve strehim në një ndërtesë të braktisur në fshatin Qatrom dhe më pas i transportonte drejt Tiranës kundrejt pagesës.
Edhe në këtë rast, i riu tentoi t’u largohej shërbimeve të Policisë, por u kap disa metra larg automjetit, brenda të cilit u gjetën gjashtë emigrantë.
Për të dy rastet, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
KOHA JONË SONDAZH

