Vatra zjarri në Shqipëri, forcat emergjente në betejë me flakët. Helikopterë në aksion për mbrojtjen e banesave
Situata nga zjarret vijon të mbetet shqetësuese në disa zona të Shqipërisë, ku temperaturat e larta dhe era kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të vatrave aktive. Forcat zjarrfikëse, strukturat e emergjencave dhe autoritetet vendore janë angazhuar në terren për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave e zonave të rrezikuara.
Një zjarr me përmasa të mëdha është regjistruar në afërsi të fshatit Hekal, pranë vendit të quajtur “Qafa e Vidhit” në Mallakastër. Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe prej më shumë se 10 hektarësh me ullishte dhe shkurre, duke iu afruar rreth 100 metra banesave dhe puseve të naftës në zonë. Fatmirësisht, zjarri nuk arriti t’i përfshinte këto objekte. Në vendngjarje ndërhynë menjëherë gjashtë mjete zjarrfikëse nga Ballshi, Patosi, Roskoveci dhe Albpetroli, të cilat punuan për izolimin dhe neutralizimin e flakëve, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Situata në malin e Dardhës është ndjekur nga afër nga kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako. Gjatë inspektimit në terren u vlerësua ecuria e operacionit për izolimin dhe kontrollin e vatrave të zjarrit, si dhe angazhimi i strukturave të përfshira në menaxhimin e situatës. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me Prefekturën e qarkut Elbasan dhe Bashkinë Librazhd, po koordinon ndërhyrjet ndërinstitucionale dhe po mbështet ekipet operacionale me kapacitetet e nevojshme për përballimin e situatës.
Një tjetër vatër zjarri ka përfshirë zonën e Kostarit në Bashkinë Finiq, ku flakët janë përhapur me shpejtësi dhe paraqesin rrezik për banesat pranë zonës së prekur. Për përballimin e situatës janë angazhuar edhe dy helikopterë, të cilët po ndërhyjnë nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit. Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës vijojnë operacionet në terren për izolimin e vatrës, ndërsa pamjet nga zona tregojnë flakë të mëdha dhe kolona të dendura tymi që kanë krijuar alarm te banorët për shkak të afrimit të zjarrit pranë banesave.
Lexoni edhe:
Zjarri në Librazhd, kryebashkiaku Disha dhe Çako inspektojnë nga afër operacionin në malin e Dardhës
Zjarri përfshin Kostarin e Finiqit, dy helikopterë në aksion për mbrojtjen e banesave
VIDEO/ Zjarri përhapet në Finiq, Ina Zhupa thirrje qeverisë: Të angazhohen të gjitha kapacitetet
Zjarri në Dardhë të Librazhdit vijon prej 6 ditësh, terreni malor vështirëson shuarjen e flakëve
KOHA JONË SONDAZH



