VIDEO/ Gomonia me 1.6 ton kanabis, detaje të reja. Dy skafistët janë nga qyteti i …
Për Greqinë është një operacion historik kapja e 1.6 ton kanabis, ndërsa për trafikantët shqiptarë ishte thjesht një “rrugë” normale, që shkoi ters për ta.
Roja bregdetare greke shënon në regjistrat e saj një nga operacionet më të suksesshme antikanabis dhe iu desh që të përballej me shkëmbim zjarri dhe ndjekje për më shumë se gjashtë orë në det.
Ndërkaq sot janë zbardhur detaje të reja. Mësohet se dy skafistët që ishin në gomone, njëri prej të cilëve mbeti i plagosur rëndë, janë nga qyteti i Sarandës.
Ngjarja u shënua mes ishujve Makronisos dhe Kea, ku trafikantët që ndodheshin në një gomone me tre motorë të fuqishëm u detyruan që të ndalonin pasi u qëlluan me armë.
Ndërsa transportoheshin të prangosur drejt postës së policisë tre skafistët, dy prej të cilëve shqiptarë dhe një italian, në Athinë po për këtë çështje u zhvillua një tjetër operacion që çoi në arrestimin e tetë të tjerëve, katër shqiptarë, dy bullgarë, një italian dhe një grek.
Ata dyshohet se janë pjesë e një rrjeti të strukturuar trafikut të narkotikëve dhe prej disa kohësh ishin nën survejimin e policisë.
Operacioni
Policia greke ditën e djeshme doli me një komunikatë të gjatë shtypi ku dha detaje nga operacioni, që në nisje të tij.
Gomonia dyshohet se është nisur nga brigjet e Himarës dhe sapo ka kaluar ujërat ndërkombëtare dhe u fut në zonën greke dy motoskafë të policisë u vunë në ndjekje.
“Krahas anijeve të policisë bregdetare janë mobiluar helikopterë të agjencisë europiane Frontex, si dhe desantë e snajperë të forcave speciale. Ata u vendosën në pika kyçe, nga mendohej se do të kalonte itinerari i skafit të drogës. Gomonia ka qenë nën survejim që kur u drejtua për në brigjet shqiptare, ku mori ngarkesën e drogës dhe pastaj, kur hyri në ujërat greke, u tentua pa sukses ndalimi i tij”, thuhet në njoftimin e policisë greke.
Gomonia mësohet se kishte tre motorë me 350 kuaj fuqi dhe manovronte lehtësisht, duke e bërë ndjekjen të vështirë.
“Gjatë përndjekjes që pasoi, nga gomonia u qëllua mbi një skaf të policisë bregdetare greke, dhe në përpjekje për t’iu shmangur plumbave, disa bregdetarë grekë ranë në ujë, duke pësuar lëndime të lehta”, thuhet nga policia greke.
Pas shumë orësh ndjekje, gomonia u ndalua në zonën detare midis ishujve Makronisos dhe Kea, pranë Athinës.
Ndalimi u bë i mundur pasi snajperët që ndodhshin në një helikopter arritën të godisnin gomonen, duke i eliminuar mundësitë për manovrime të tjera. Njëri prej skafistëve ka përfunduar në spital, por policia greke nuk jep detaje nëse është plagosur me armë zjarri, apo është dëmtuar gjatë manovrave të kryera me mjetin lundrues.
Sasia e kanabisit që transportonte gomonia ishte 1,6 tonë, ndërkohë që gjatë përndjekjes trafikantët kishin flakur në det paketa me drogë, armë dhe sende të tjera që mund të shërbenin si prova rënduese.
Policia ka prova të shumta në lidhje me trafikimin e narkotikëve, pasi ky grup dyshohet se e ka kryer këtë veprimtari edhe më parë.
Ndonëse pala greke ishte në dijeni të plotë të momentit kur lëvizi gomonia me sasinë e madhe të kanabisit nuk dihet se përse nuk është njoftuar policia shqiptare.
Disa aksione të zhvilluara kanë qenë në bashkëpunim mes tre policive, shqiptare, italiane dhe greke.
Arrestimet në Athinë
Tre skafistët për të humbur çdo gjurmë të mundshme në momentin që ndiqeshin hodhën në det telefonat celularë dhe sendet e tjera që shërbenin si shenja kontakti me grupin që i priste në breg të detit.
Gjithsesi, policia kishte informacione të sakta mbi personat e tjerë dhe po mbaheshin në vëzhgim. Në portin e Pireut dhe Athinë u arrestuan edhe tetë persona të tjerë, katër shqiptarë, dy italianë, një bullgar dhe një grek.
Gjithashtu, u zbulua edhe një gomone tjetër, që dyshohet se shërbente për trafikimin e kanabisit.
Mediat greke raportojnë se mes të arrestuarve është edhe një biznesmen me inicialet S.K. Sipas tyre, ai është një sipërmarrës i njohur në ishullin e Mikonos në Greqi.
Biznesmeni u arrestua në portin e Larissas së bashku me personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Dyshohet se ngarkesa e madhe e drogës do të shkonte pikërisht në Mikonos dhe një pjesë do të shitej në tregun vendas kurse pjesa tjetër në shtetet evropiane.
Një vit më parë shërbimet inteligjente të Greqisë ngritën alarmin se grupe të strukturuara kriminale të drejtuar nga Shqiptarë po kontrollonin trafikun e narkotikëve në këtë vend.
Veçanërisht trafikimi i kanabisit ishte në vend të parë, ndërsa një tjetër problem që ngrihej ishte tentative për të pastruar paratë e siguruara nga veprimtari të paligjshme.
Trafikimi i automjeteve luksoze është një tjetër shqetësim që kanë ngritur strukturat ligjzabtuese në Greqi, duke i konsideruar grupet e drejtuara nga shqiptarët si mjaft të organizuara dhe po fitonin shumë terren në kontrollin e trafiqeve në shtetin grek. /Mapo.al

